Fri, Nov 29, 2024

BIRN: Si i përlau fondet e BE-së restoranti i lidhur me Ilir Beqjen?

  • PublishedJanuary 8, 2024

Gzona është një restorant i vendosur në rrugicën pedonale brenda sarajeve të familjes Toptani në qendër të Tiranës – e rijetëzuar si një hapësirë tregtare për zejet e artizanatit dhe kulinarisë.

I drejtuar nga një shef kuzhine që mori famë prej shfaqjes së tij në emisionin ‘Masterchef’, restoranti premton një evolucion të traditës, me pjata të tilla si byreku me qepë-domate, tru viçi me lulelakër në qymyr si dhe njoki panxhari me djathë mishavinë.

Restoranti frekuentohet nga njerëzit më të pushtetshëm në kryeqytet, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i bashkisë, Erion Veliaj, si dhe nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian – përfshirë ish-ambasadorin Luigi Soreca dhe shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

Megjithatë, prokurorët shqiptarë dyshojnë se pas listës së shquar të klientëve dhe artit të kuzhinës, restoranti fsheh një skemë korruptive me fatura fiktive për të keqpërdorur fondet e programeve të ndihmës së Bashkimit Evropian.

Në qendër të kësaj skeme dyshohet se qëndron Ilir Beqaj, ish-ministri i Shëndetësisë që drejtonte deri në dhjetor Agjencinë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC, dhe Ermal Kurtulaj, koordinator i programit ‘USAIR Facility Point’ të financuar nga Bashkimi Evropian.

Si pjesë të hetimit, Byroja Kombëtare e Hetimit, BKH, ndërmorri më 27 dhjetor një seri bastisjesh të banesave, bizneseve, automjeteve, si dhe kontrollin personal për tetë të dyshuar, përfshirë ish-ministrin Ilir Beqaj dhe shoferin e tij, Arben Dani.

Kontrollin në banesë e konfirmoi për gazetarët vetë Beqaj, i cili u paraqit në SPAK në të njëjtën ditë për shkak të masës së sigurimit “detyrim paraqitje” të vendosur ndaj tij sa i përket hetimeve për aferën e sterilizimit të pajisjeve mjekësore – një çështje paralele ku ish-ministri dyshohet për shpërdorim detyre. Për më shumë lexo këtu.

/BIRN

AlbaniaWeb.net