Arbitrat & asistentët nisin përgatitjet për fazën e tretë të kampionatit. Jareci: Gjendja optimale, përmirësojmë problematikat
“Shtëpia e Futbollit” mirëpret sot dhe nesër 70 arbitra dhe asistentë të kampionatit shqiptar të cilët do t’i nënshtrohen testeve fizike dhe seminareve teorike, me qëllim përmirësimin e nivelit të arbitrimit si dhe zgjerimin e njohurive.
Gjatë kësaj të mërkure, nën mbikëqyrjen e Sektorit të Arbitrimit në FSHF, arbitrat dhe asistentët kanë zhvilluar fillimisht testet fizike, ndërsa më pas kanë ndjekur seminarin teorik, ku veç njohurive të reja, janë diskutuar e analizuar edhe situata të ndryshme të ndodhura përgjatë dy fazave të para të kampionatit.
Shefi i Sektorit të Arbitrimit në FSHF, Sokol Jareci, në një prononcim për fshf.org tregoi se gjendja e arbitrave pas testeve fizike të zhvilluara sot duket mjaft optimale, ndërsa zbuloi edhe se ku do të përqëndrohen më tepër seminaret teorike përgjatë këtyre dy ditëve. Sakaq, gjatë seminarit teorik të ditës së enjte do të jetë i ftuar edhe drejtori i IFAB, David Elleray.
“Jemi në prag të fillimit të fazës së tretë të kampionatit dhe arbitrat dhe të gjithë asistentet e të gjitha kategorive do t’i nënshtrohen seminareve dhe testeve fizike. Gjendja duket optimale, që tregon që arbitrat vazhdojnë dhe stërviten sistematikisht duke ndjekur programin që preparatorët atletikë vënë në dispozicion të tyre. Pjesë të seminarit do të jenë të gjitha problematikat e fazës së parë të kampionatit duke përfshirë edhe disa tema te tjera, të cilat së bashku me pjesen visive, pra me video testin dhe me pamje te tjera do të përbëjnë atë që është pjesa teorike ose pjesa e seminarit teorik.
Nesër do të vazhdohet me ditën e dytë të seminarit, ku i ftuar në seminar do të jetë drejtori i IFAB. David Ellerey nga Anglia, i cili është ne rolin e instruktorit te UEFA dhe është personi i cili përgjigjet për performancën e arbitrave shqiptarë në UEFA” – tha ndër të tjera Sokol Jareci.