Thu, Nov 28, 2024

“Lojtarët u vetëkënaqën”, Mehmeti pas humbjes në derbi: Nuk kemi eksperiencë në mesfushë

  • PublishedJanuary 12, 2024

Dinamo është mposhtur me përmbysje përballë Tiranës në ndeshjen e luajtur në kuadër të javës së 19-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana” përfundoi me fitoren 2-3 të Tiranës.

Pas kësaj sfide, për mikrofonat e MCN TV foli trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti.

“Normalisht që më vjen shumë keq. Që në momentin që ishim 2-0, aty filloi vetkënaqësia e lojtarëve sidomos në linjat e qendrës kishim probleme. Duhet ta kishim menaxhuar shumë më mirë për të mos i dhënë mundësi kundërshtarit. Kemi pësuar gola naivë, nga mosfanatizmi në zbatimin e detyrave në gabime individuale. Na mungojnë lojtarët me eksperiencë në mesfushë. Shpeshherë e kemi thënë që vetëm Andoni ka eksperiencë. Këto nuk janë justifikime, por të vjen keq të përmbysesh nga 2-0. Gola nga momente si faulli, apo penalltia në atë mënyrë. Kemi nevojë urgjente të kemi lojtarë me eksperiencë në mesfushë”, është shprehur fillimisht Mehmeti.

-Çfarë do bënit ndryshe po të fillonte ndeshja na fillimi?

“Nuk do të bëja asgjë ndryshe. Lojtarët me eksperiencë treguan vetëkënaqësi pas 2-0. Derbi është derbi dhe ky është futbolli i paparashikueshëm. Duhet të jenë lojtarët me eksperiencën e duhur dhe të menaxhojnë lojën. Duhet të ishim më të kujdesshëm në fazën difensive. Sa herë të hapej Tirana ne t’i kundërpërgjigjeshim, siç vepruam në pjesën e parë. Bëmë një faull naiv në linjat anësore, nuk vendosesh mirë në linjat standarde”.

-A mendoni se mbrojtja ka nevoj për përmirësim?

“Patjetër që ka punë në fazën difensive. Por edhe sulmi duhet të ishte më agresiv në fazën difensive dhe të vihej në ekuilibër kur humbisnin topin. Edhe merkato e janarit nuk na lejon shumë që të gjejmë elementë edhe pse kemi nevojë emergjente”.

-Mendon se mund të ndryshojë për mirë situata e ekipit me këtë merkato që keni bërë?

“Sulmuesi dhe dy mesfushorë duhen që ne të jemi më të sigurtë në këtë kampionat të vështirë. Duhen dy mesfushorë, që të rikthehemi tek rezultatet e mira që kemi patur”.

-Sa iu shqetësojnë golat e pësuar? Pas çdo ndeshje keni thënë që duhen ndryshime në mesfushë, por në merkato nuk keni afruar një të tillë…?

“Jemi në kërkim të një mesfushori. Lojtarët që kanë ardhur deri më tani, përveç Jankut, Meksit dhe Bambës… jemi në kërkim të mesfushorit. Në linjën e mesfushës kemi vetëm Andonin me eksperiencë dha na duhet një lider. Goudiaby dhe Smaçi janë lojtarë të rinj. Duhet lojtarë me personalitet për të përballuar këto sfida. Golat e pësuar? Vijnë si skuadër, jo vetëm nga mbrojtja. Skuadra duhet të mbrojë në bllok. Por sot nuk shikoj golat e pësuar, por gabimet individuale dhe vetkënaqësia. Sidomos menaxhimi nga lojtarët me eksperiencë. Duhet të merrnin më shumë përsipër”.

-Po menaxhoni një skuadër pa personalitet?

“Jo nuk e thashë këtë. Lojtarët me eksperiencë sot nuk arritën të menaxhonin rezultatin. Të kesh vetëm Andonin dhe Denisson që është ofensiv, të duhet dhe një tjetër që të përballesh me Tiranën që është ekip me cilësi. Duhet personalitet dhe eksperiencë që të menaxhosh të tilla situata dhe këtë kampionat shumë të vështirë”.

-Çfarë ndryshoi në këto ndeshjet e fundit, ku Dinamo po pëson gola me shumicë?

“Përsa i përket diferencave, kemi diferenca në disa elementë, por kemi edhe lojtarë të talentuar. Unë po them që ka elementë shumë të mirë Dinamo, por disa pozicione janë lojtarë që mund të lënë boshllëqe. Si në sulm dhe mesfushë. Mesfusha është një nga pikat kyçe. Nga momenti që e kam marrë ekipin dhe deri më tani në ekip kanë ardhur Janku, Meksi dhe Bamba”.

AlbaniaWeb.net