Egnatia do triumfin e radhës, Tetova: E vështirë me Bylisin, s’ka vend për eufori
Edlir Tetova beson te vazhdimësia e Egnatias, edhe pse është i ndërgjegjshëm se sot ndaj Bylisit në orën 14:00 në stadiumin e Rrogozhinës, e pret një duel shumë i fortë.
Në skuadër ka rikthime të rëndësishme, ndërsa trajneri në prononcimin për “Panorama Sport”, theksoi se keqardhja më e madhe është mungesa e tifozëve, pasi dënimi nga Disiplina për fushën mbetet në fuqi deri në fund të sezonit.
Edlir, pas fitores në Shkodër, si është situata në skuadër në prag të ndeshjes ndaj Bylisit?
Atmosfera në ekip është shumë e mirë. Çdo gjë ka shkuar shumë mirë gjatë kësaj jave dhe jemi gati për ndeshjen ndaj Bylisit.
Me ballshiotët, por edhe skuadra të tjera, keni lënë disa pikë të rëndësishme në javët e shkuara, veçanërisht kur keni luajtur në Rrogozhinë. Çfarë prisni sot?
Kemi lënë shumë pikë në shtëpi dhe kjo është e vërtetë, por shpresojmë që tani në këto 5 ndeshje të mbetura deri në fund, të jemi shumë të përqendruar, duke marrë maksimumin.
Rikthehen Zejnullai dhe Kasa, por a ka diçka që ju shqetëson në prag të kësaj ndeshjeje?
Bashkë me Zejnullain dhe Kasën është rikthyer i gatshëm edhe Lila. Kjo na jep qetësi, pasi grupin e kemi të plotë dhe s’kemi asnjë shqetësim.
I druheni një euforie të mundshme në skuadër pas asaj fitoreje me katër gola në Shkodër?
Nuk besoj se ka vend për eufori. Jemi të ndërgjegjshëm se luajmë një ndeshje shumë të vështirë ndaj Bylisit. E vlerësojmë shumë dhe duam të marrim maksimumin tonë, pasi vetëm kështu mund të arrijmë synimet.
Pa tifozë sërish. Ju vjen keq që në këtë moment të artë luani në stadium të mbyllur në Rrogozhinë?
Do të dëshiroja që çdo qytetar i Rrogozhinës të ishte në stadium për të ndjekur ekipin e zemrës. Një falënderim i madh u shkon atyre tifozëve që patën udhëtuar në Shkodër në mesjavë dhe fundjavën e kaluar. I ndjemë shumë duartrokitjet e tyre.
Nëse fitohet përballë Bylisit, a mund të themi se Europa është vetëm një hap larg për Egnatian?
Do të bëjmë maksimumin në këtë ndeshje për të arritur objektivat. Besoj se do të jetë një ndeshje shumë e luftuar dhe uroj që me lojë të mirë, por edhe me pak fat, të arrijmë fitoren. Kjo na vlen shumë në këto moment ku ndodhemi.
F. EFICA-PANORAMASPORT.AL