Sat, Nov 30, 2024

Kriza në Detin e Kuq: Ç’përfaqësojnë rebelët huthi?

  • PublishedJanuary 15, 2024

Një koalicion ndërkombëtar i udhëhequr nga SHBA-ja u kundërpërgjigj pas sulmeve prej disa javësh të rebelëve jemenas ndaj anijeve në Detin e Kuq. Ç’përfaqësojnë rebelët huthi dhe çfarë duan të arrijnë ata?

Pasoperacionit “Prosperity Guardian” ndaj rebelëbe huthi gjendja po përshkallëzohet ndjeshëm. Me sulmet e tyre ndaj anijeve rebelët po demonstrojnë prej javësh mbështetjen e tyre për kauzën palestineze dhe radikalët islamikë Hamas në Rripin e Gazës. Ata deklaruan se do të vazhdojnë të sulmojnë çdo anije që shkon për në Izrael, derisa ushtria e Izraelit të heqë bllokadën e Rripit të Gazës dhe të lejojë dërgimin e ushqimeve dhe të furnizimeve të tjera të nevojshme për jetesën.

Menjëherë pas sulmeve të udhëhequra nga SHBA dhe Britania rebelët huthi u përbetuan për hakmarrje. “Beteja do të zgjerohet shumë përtej imagjinatës dhe pritshmërive të amerikanëve dhe të britanikëve,” citoi agjencia e lajmeve AP, Ali al-Kahumin, një zyrtar të lartë Huthi.

Origjina dhe identiteti

Huthit i përkasin një grupi fisnor nga një zonë malore në Jemenin verior që kufizohet me Arabinë Saudite. Nga pikëpamja fetare ata u përkasin zaidëve, një drejtim brenda grupit të myslimanëve shiitë. Ndryshe nga shumë shiitë të tjerë, zaidët nuk besojnë në kthimin e një imami të fshehur, të ashtuquajturit Mehdi.

Megjithatë përkatësia e huthive ndaj islamit shiit është një bazë e rëndësishme për lidhjet e tyre të mira me Iranin, i cili e sheh veten si supremaci dhe përfaqësues i interesave të shiitëve në rajon. Në Jemen zaidët përbëjnë një të tretën e popullsisë.

Huthit dhe lufta civile

Që nga e ashtuquajtura Pranvera Arabe e vitit 2011 huthit e kanë akuzuar gjithnjë e më shumë qeverinë qendrore të Jemenit në Sana për margjinalizimin e zaidëve dhe shtypjen e të drejtave të tyre. Po ashtu e e akuzonin qeverinë jemenase se ishte jashtëzakonisht e afërt me Izraelin dhe SHBA-në.

Mbi bazën e këtyre akuzave huthit u ngritën në vitin 2014 kundër qeverisë së presidentit të atëhershëm Abed Rabo Mansur Hadi. Ai mundi të qëndronte në detyrë vetëm falë një aleance ushtarake ndërkombëtare të udhëhequr nga Arabia Saudite. Aleanca luftom kundër rebelëve huthi që nga viti 2015 – por pa ndonjë sukses.

Qeveria e mbështetur nga Arabia Saudite kontrollon jugun e vendit, ndërsa huthit kontrollojnë veriun. Ata mbështeten nga Irani. Kjo është arsyeja pse lufta civile në Jemen konsiderohet gjithashtu edhe një luftë përfaqësuese midis Arabisë Saudite dhe Iranit. Huthit kanë tanke, automjete dhe raketa llojesh të ndryshme, të cilat ata thonë se kryesisht i kanë grabitur nga ushtria e rregullt jemenase.

Ideologji radikale anti-izraelite

Kursi ideologjik i rebelëve huthi mund të kuptohet nga motoja e tyre: “Allahu është më i madhi, vdekje Amerikës, vdekje Izraelit, mallkim hebrenjve, fitore për fenë islame”.

Në territorin e tyre në Jemenin verior ata kanë vendosur një rend të rreptë islamik. Ata e kombinojnë militantizmin fetar me një kurs të rreptë anti-perëndimor dhe anti-izraelit. Emri që huthit përdorin për veten e tyre – “Ansar Allah” (ndihmës i Allahut, mbështetësi i Allahut) – pasqyron gjithashtu këtë frymë.

Marrëdhënie të ngushta me Iranin

Huthit konsiderohen si aleatë të ngushtë të qeverisë iraniane. Ata e shohin veten si pjesë e të ashtuquajturit “bosht rezistence” kundër Izraelit dhe SHBA-së, i cili përfshin edhe Hezbollahun libanez, milici të ndryshme irakiane dhe regjimin sirian, shpjegon në bisedë me DW politologu Hamidreza Azizi nga Fondacioni i Shkencë dhe Politikë (SWP) në Berlin. Megjithatë huthit ndryshonjë nga partnerët e tjerë të Iranit. Nga njëra anë, ata janë më pak të varur nga Teherani sesa, për shembull, Hezbollahu libanez, dhe nga ana tjetër, ata nuk janë drejtpërdrejt në varësi të sistemit të komandës dhe të kontrollit iranian, thotë Azizi.


AlbaniaWeb,net