25 vite nga Masakra e Reçakut/ Forcat serbe vranë mbi 45 shqiptarë, Osmani: U masakruan në mënyrë brutale
Kosova përkujton sot 25-vjetorin e masakrës në Reçak, ku forcat serbe vranë mbi 45 civilë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe ish-ambasadori William Walker bënë homazhe në varreza.
Osmani ka thënë se shqiptarët u masakruan nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit.
“Jemi këtu jo vetëm për të nderuar viktimat e regjimit gjenocidal të Millosheviçit, por për të përsëritur thirrjen tonë për drejtësi. Drejtësia i jep kuptim paqes, lirisë, e është e domosdoshme për pajtim. Edhe sot jemi këtu për të nderuar të rënët, të gjithë ata që duarthatë u masakruan në mënyrë brutale, duke kryer krime kundër njerëzimit nga regjimi i Millosheviçit”, tha Osmani.
Kryeministri Albin Kurti falënderoi ish-ambasadorin e misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili i tregoi botës se çfarë kishte ndodhur në këtë vend.
“Masakra e Reçakut këtu e 25 vjet më parë, ku u vranë 45 civilë shqiptarë e tronditi si opinionin publik ndërkombëtar, gjithashtu edhe diplomacinë botërore dhe e bëri të domosdoshëm ndërhyrjen ushtarake të NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Kur ndodhi masakra e Reçakut, ambasadori William Walker si udhëheqës i misionit të OSBE-së në Kosovë erdhi këtu te fshatarët dhe e foli të vërtetën, tha kjo është masakër dhe krim kundër njerëzimit”.
“E dimë që e vërteta është armiku më i madh i diktatorëve dhe shovinistëve andaj edhe sot e kësaj dite ambasadori Ëilliam Ëalker vazhdon të jetë ndërkombëtari më i sulmuar edhe më i urryer në Serbi, ku vazhdon të dominojë një regjim autoritar me ç’rast ish-ministri i informatave të asaj kohe sot është president i Serbisë”, tha ai.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se Masakra e Reçakut është ndër aktet më mizore të regjimit serb.
“Ky ishte njëri ndër aktet më mizore të regjimit së Serbisë, e po ashtu për botën demokratike shënoi edhe vijën e kuqe për Serbinë okupatore që i solli edhe bombardimet e NATO-s pastaj. Gjë që i hapi rrugë edhe çlirimit të plotë të Kosovës. Pas Reçakut, bota demokratike e kuptoi se gjuha të cilën e njeh Serbia është gjuha e forcës, sepse nuk do të ndalej lufta dhe masakrat që po i kryente gjithandej Kosovës”, tha Konjufca.
AlbaniaWeb,net