Sat, Nov 30, 2024

Shpërthimi me granatë në Mitrovicë të Veriut, identifikohen dy persona të përfshirë

  • PublishedJanuary 16, 2024

Policia e Kosovës tha se janë identifikuar dy personat e përfshirë në incidentin me granatë dore në orët e vona të së hënës në Mitrovicë të Veriut.

Si pasojë e shpërthimit të granatës janë lënduar dy persona dhe dëmtuar shtatë makina.

Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se dy personat e identifikuar janë kërkuar nëpër shtëpitë e tyre për të dëshmuar, por nuk janë gjetur në to.

“Besohet se ky konflikt ka qenë pasojë e problemeve të mëhershme në mes të këtyre personave”, ka thënë Elshani në një përgjigje me shkrim.

Drejtori i Qendrës Klinike Spitalore në Mitrovicën e Veriut, Zllatan Ellek, i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë se një pacient, me inicialet N.V, gjendet në reanimacion, për shkak të lëndimeve të pësuara nga një mjet plasës.

Por, edhe sikurse Policia, edhe Ellek ka thënë se ai është jashtë rrezikut për jetë.

“Të gjitha procedurat diagnostike dhe konsultimet me specialistë të tjerë janë ende duke u bërë. Gjatë ditës do të vendoset nëse ai do të vazhdojë trajtimin në këtë qendër, apo do të ketë nevojë për trajtim në një institucion tjetër shëndetësor terciar në nivel të Serbisë”.

Ai ka thënë se plagosuri i dytë është dashur të mbahej i shtruar në ortopedi, por ai është larguar nga spitali.

Nga Policia kanë thënë se ngjarja ka ndodhur në orën 23:50 të 15 janarit, kur tre persona, të nacionalitetit serb – dy prej të cilëve u plagosën, dolën nga një lokal i njohur si “Bishevac” në Mitrovicë të Veriut. Më pas u është afruar një makinë prej së cilës është hedhur një granatë dore.

Edhe më parë në Mitrovicë të Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe ka pasur incidente me mjete plasëse.


AlbaniaWeb.net