Fri, Nov 22, 2024

Hallaçi zbulon ndryshimet në skuadër: Barazimi nuk vlen, pres vetëm fitore

  • PublishedMay 6, 2023

Rraman Hallaçi e pranon se Kukësi po kalon një periudhë të vështirë në kampionat, por ka besim te djemtë që stërvit. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” para sfidës me Partizanin, tekniku i bluve synon vetëm fitoren në ndeshjen me të kuqtë, edhe pse të kuqtë janë një ekip që luftojnë për titull. Hallaçi u ndal edhe tek “shterpësia” në sulm, ku kërkoi nga lojtarët që të tregohen më të saktë në mundësitë që u dalin para portës. Tekniku foli edhe për rrotacionin që ka bërë në ndeshjet e fundit, pasi kërkon që të freskojë pak skuadrën në këto ndeshje vendimtare.

Hallaci

Gjashtë ndeshje pa fitore, çfarë po ndodh me Kukësin?
Kemi kaluar pak vështirësi këtë periudhë dhe duhet të kishim më shumë pikë. Kemi pasur luhatje gjatë kohëve të fundit. Skuadra është korrekte si në stërvitje, edhe në ndeshje, por kuptohet duhet më shumë sakrificë.

Goli po kthehet në një problem, si mendoni ta zgjidhni këtë situatë?
Nuk kemi shënuar shumë gola si skuadër, ku shumë herë nuk kemi pasur qetësinë e duhur para porte, edhe pse kemi dalë shpesh. Skuadra del rrjedhshëm në sulme, por në metrat e fundit duhet më shumë cilësi, pasi aty bëhet diferenca. Kam besim te sulmuesit se do të shënojnë në këto ndeshjet vendimtare.

Nesër (sot) luani me Partizanin, çfarë synoni?
Me Partizanin synojmë maksimumin, vetë situata është e qartë dhe ne na duhen pikët. Përgatitjet kanë shkuar mirë dhe skuadra është shumë serioze. Do të jemi të kujdesshëm, por do të mundohemi të sulmojmë me Partizanin. Ata luajnë për titull, ne për mbijetesë, por do të jetë një sfidë e fortë.

Do t’ju kënaqte një pikë në këtë sfidë duke parë kundërshtarin që keni përballë?
Ne na kënaq vetëm fitorja, ndonëse është e vështirë. Por nëse ne japim maksimumin si në ndeshjen e fundit, mendoj që çdo gjë është e hapur. Në një ndeshje ka shumë situata dhe kush i shfrytëzon, del i fituar.

Keni bërë shpesh lëvizje në formacion në javët e fundit, çfarë ekipi do të shohim ndaj Partizanit?
I kemi bërë lëvizjet në formacion, me lojtarët kryesorë, që i kanë bërë pothuajse të gjitha ndeshjet si titullarë dhe kuptohet që mund të jenë pak të mbingarkuar. Kanë qenë dhe janë lojtarët kryesorë si kapiten Taipi, Shqiprim Taipi, Tafas apo Basha. Kanë shumë minuta në këmbë dhe po mundohem të freskoj pak skuadrën nga ndeshja në ndeshje, por gjithmonë me kujdes.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”