“Ke qejf kur arbitron Enea”, Çela komplimentin Jorgjin: Ai dhe Xhaja janë më të mirët në Shqipëri
Kastrioti mori një pikë në fund të takimit përballë Vllaznisë duke mbajtur gjallë shpresën për mbijetesë. Pas përfundimit të ndeshjes, trajneri i krutanëve, Emiljano Çela, u shpreh se barazimi ishte rezultati më i drejtë dhe gjithashtu komplimentoi arbitrin Enea Jorgji.
“Kastriotit sot nuk i mungoi asgjë. Lojtarët dhanë maksimumin. Tendenca e gjërave që kemi punuar ishte. Pësuam një gol aksidental. Gjetëm forcat, barazuam. Punuam diçka në pushimin ndërmjet pjesëve, por nuk funksionuan. Ekipet pastaj shkuan të hapura, shkuan në tranzicion. Unë jam shumë i lumtur me lojtarët e mi. Mendoj se meritonim pak më shumë, po të tregoheshim pak më të kujdesshëm, por barazimi ishte rezultati më i drejtë.
Eksperimentet? Do përfundojnë deri në momentin që arbitrat mos të japin më karton të kuq. Sot për shembull nuk na dhanë karton të kuq, ndeshjen tjetër do fusim lojtarët që do kemi të disponueshëm në vendet natyrale. Është shumë e thjeshtë. Gjej rastin ta përgëzoj arbitrimin e Eneas (Jorgjit) sot. Është arbitri më i mirë në Shqipëri bashkë me Juxhin Xhajën. Të vjen qejf kur ke Enean arbitër të ndeshjes, qoftë nga mënyra si komunikon, qoftë nga mënyra si e menaxhon ndeshjen. Unë sot nuk e fitova ndeshjen, ishte një finale për mua, edhe prapë po them fjalët më të mira për arbitrin. Eksperimentet do i lë në momentin që arbitrat nuk do na japin më karton të kuq. Ju e patë të gjithë që Tirana bëri golin, na provokon, na japin kartonat. Asnjë lojtar i Tiranës nuk u dënua, asnjë lojtar i Tiranës nuk u fut në komision. Ne u dënuam të gjithë. Kodrën e kemi po të dënuar. Të shohim çfarë do bëhet këtë javë, kush do na kthehet. Të paktën të rrimë dhe ne brenda logjikës së punës. Sot e patë vetë. Futëm një lojtar të ri, Bejzaden, që bëri shumë mirë. është mesfushor dhe ne e futëm mbrojtës. Një lojtar i ri të futet në një pozicion jo natyral është gjë shumë e vështirë”, u shpreh Çela për “Oversport”.