Opozita bllokon mbledhjen e komisionit të reformës zgjedhore
Grupi parlamentar i PD-së kërkon zëvendësimin e bashkëkryetarit të opozitës, Enkelejd Alibeaj pas prishjes së balancave brenda kësaj partie, ku Alibeaj nuk gëzon mbështetjen e grupimit që drejtohet nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Alibeaj nuk u paraqit në sallë në orarin e njoftuar për mbledhje, por në një dalje për mediat ai mbrojti pozicionin e tij në komision si përfaqësues i Partisë Demokratike, ku është zgjedhur që në shkurt 2022.
Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi tha se kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste nuk mund t’i impononte opozitës një kryetar komisioni që e mbështesin vetëm 7 deputetë dhe të lërë pa përfaqësuar 50 deputetë të tjerë.
“Mekanizmi i bashkëkryetarit është garanci që të mos ndodhë ajo që ndodhi në 2020, kur një person gjoja me mandat opozitar i dha shqelmin Kushtetutës,” tha Bardhi duke iu referuar aleancës së Ramës me Myslym Murrizin, ish-deputet i dalë nga listat shumëemërore, pasi PD braktisi Kuvendin.
Një grup deputetësh, anëtarë të opozitës, nga të cilët 6 anëtarë të këtij komisioni, në një konferencë për mediat kërkuan që shumica parlamentare të pranojë ndryshimin e bashkëkryetarit.
Oerd Bylykbashi, i propozuar për të zëvendësuar Alibeajn, tha se nuk do ketë normalitet parlamentar nëse nuk pranohet kjo kërkesë, duke akuzuar Ramën se “po kërkon shit-blerje të votave në Kuvend”.
“Kërkojmë respektimin e një tradite 20-vjeçare bipartizane që ka garantuar sukses dhe këto janë rregullat bazë për të garantuar se do të ketë zgjedhje të lira e të ndershme,” tha Bylykbashi.
Në krah të Bykykbashit ishin dhe përfaqësuesit e partive të vogla opozitare, Petrit Vasili i Partisë së Lirisë, Shpëtim Idrizi i Partisë për Drejtësi dhe Unitet dhe Fatmir Mediu i Partisë Republikane.
Sipas Mediut, komisioni duhet të balancojë të gjitha forcat politike duke iu bërë thirrje deputetëve opozitarë të grupimit “Basha” që mos të bashkojnë votat me PS-në.
Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar socialist, Bledi Çuçi, akuzoi të dy grupimet opozitare si bllokuese, por nuk ofroi alternativë për mënyrën si do funksionojë komisioni më tej.
”Të dyja palët e partisë së bërë copë e çikë, përveçse zhyten më keq në krizën ku kanë rënë prej vulës së humbur dhe sikletit me drejtësinë e re, nuk e pengojnë dot as reformën zgjedhore dhe as jetën parlamentare,” tha Çuçi.
Ndërkombëtarët kanë apeluar që reforma zgjedhore të bëhet me dialog politik dhe të jetë gjithpërfshirëse.Gatishmërinë për të ecur përpara me reformën me komisionin aktual e kanë shprehur kryeministri Rama dhe Lulzim Basha, që kontrollon një numër të vogël deputetësh të PD-së.
Komisioni për reformën zgjedhore prej 2 vitesh nuk ka prodhuar asnjë rezultat konkret dhe vetëm ka kërkuar shtyrjen e afatit çdo 6 muaj në Kuvend.
Për herë të fundit, Kodi Zgjedhor u ndryshua në vitin 2020 pas një marrëveshje të gjerë të partive politike dhe ndërmjetësimit të delegacionit të BE-së dhe ambasadave amerikane dhe britanike, por vetëm 1 muaj më pas, PS në aleancë me disa deputetë të opozitës ndryshoi Kushtetutën, duke imponuar një sistem zgjedhor të padakordësuar nga palët e tjera.