Fri, Nov 22, 2024

Murinjo i papërmbajtshëm pas humbjes: Më kritikon një person i dënuar për baste. Vetëm në Itali një i tillë mund të mbajë post

  • PublishedMay 6, 2023


Murinjo i papërmbajtshëm pas humbjes: Më kritikon një person i dënuar për baste. Vetëm në Itali një i tillë mund të mbajë post

6 May, 2023

6 May, 2023

Zhoze Murinjo sheh se si Roma e tij po del nga lufta për një vend në Ligën e Kampioneve dhe humbja ndaj Interit e ka zbritur ekipin verdhekuq në vendin e 7. Por tekniku portugez, përveçse ka justifikuar skuadrën e cila u përball në pikën më kritike të sezonit me shumë dëmtime e mungesa, ka kundërsulmuar ashpër edhe presidentin e shoqatës së trajnerëve në Itali, Renzo Ulivierin.

Ky i fundit e kishte cilësuar të papranueshëm faktin që Murinjo kishte shkuar në pankinë me mikrofon për të regjistruar arbitrat. Dhe sot, trajneri portugez i është kundërvënë në mënyrën e tij, duke i kujtuar të kaluarën kur është dënuar për trukime në Itali.

“Nuk dua të flas për kolegët e mi, nuk kam asnjë problem personal me asnjë prej tyre, nuk do të ishte korrekte nga ana ime. Sa u përket kritikave për ndeshjen e fundit, mendoj se kam qenë i qartë. Nuk kam vënë asnjëherë në dyshim ndershmërinë e gjyqtarit, asnjëherë. Kam thënë vetëm se sipas meje nuk ka cilësi, pasi një gjyqtar duhet të jetë empatik me të gjithë.

Sot për shembull gjyqtari i katërt ishte një gjyqtar i madh dhe ishte empatik, të shohim deri ku do të mbërrijë.

Kritika më e fortë që kam marrë ishte gëzimi im më i madh, pasi u bë nga një person me tre vite skualifikim për baste. Vetëm në Itali një person i tillë mund të ketë një pozicion institucional të rëndësishëm, të kritikohem nga një person i tillë më jep lumturi, pasi më jep sigurinë se vij nga një planet tjetër”, tha Murinjo pas sfidës.

PANORAMASPORT.AL

© Panorama Sport