Thu, Nov 28, 2024

Investimet strategjike deri në 2027! Mazhoranca kërkon të zgjasë afatin e zbatimit të ligjit, rritet vlera minimale e investimit

  • PublishedJanuary 25, 2024

Mazhoranca socialiste kërkon të shtyjë deri në 2027-ën afatin e zbatimit të ligjit për investitorët strategjikë.

Ligji i miratuar në 2015-ën kishte afat për paraqitjen e kërkesave dhjetorin e viti të kaluar, gjë që ka detyruar socialistët të kërkojnë shtyrjen, pasi sipas relacionit kërkesat për investime të reja janë mjaft të larta, kryesisht edhe nga investitorët e huaj.

Përtej kësaj në ndryshimet e paraqitura është kërkuar që vlera minimale e investimit e cila mund të merret në shqyrtim të jetë 50 milionë euro nga 30 që ishte më parë, si dhe krijimi i 300 vendeve të punës.

Ndërkohë për investitorët që trajtohen me procedurë të veçantë ligji ka parashikuar që vlera minimale e investimit të jetë 100 milionë euro.

Gjithashtu ndryshimet prekin edhe aspekte të tjera proceduriale. Nëse Këshilli i investimeve strategjike do të vërejë parregullsi në dokumenta apo mospërmbushje të detyrimeve pas dhënies së lejes do të ketë të drejtën të ndërpresë ose anulojë statusin e veçantë dhe të vendosë penalitete.

Nga 2016 shkruhet në relacionin e projektligjit janë 40 projekte që kanë fituar statusin investim strategjik, pjesa më e madhe në turizëm, ndërsa 14 projekte janë refuzuar dhe 34 të tjera janë në fazë vlerësimi.


AlbaniaWeb.net