Sat, Nov 30, 2024

Droni që vrau ushtarët amerikanë në Jordani u ngatërrua me një dron amerikan, sugjeron një raport paraprak

  • PublishedJanuary 29, 2024

Një dron që vrau tre ushtarë amerikanë dhe plagosi dhjetëra të tjerë në Jordani mund të jetë ngatërruar me një dron amerikan që po kthehej në bazën amerikane, thanë të hënën dy zyrtarë amerikanë.

Ndërsa droni i armikut po fluturonte në një lartësi të ulët, një dron amerikan po kthehej në bazën e vogël të shkretëtirës të njohur si Kulla 22, sipas një raporti paraprak të cituar nga zyrtarët, të cilët nuk ishin të autorizuar për të folur për çështjen.

Si rezultat, nuk pati asnjë përpjekje për të rrëzuar dronin e armikut që goditi bazën të dielën herët në mëngjes. Një prej objekteve ku flinin trupat amerikane pësoi dëmin më të madh nga goditja, ndërsa zonat përreth patën dëme të kufizuara nga shpërthimi dhe mbeturinat që fluturuan tutje.

Zyrtarët thanë se nga 34 trupat e plagosur, shumica kishin prerje, mavijosje, lëndime në kokë dhe plagë të ngjashme. Një nga të plagosurit është në gjendje kritike, por të qëndrueshme.

Shtëpia e Bardhë tha të hënën se nuk po kërkon luftë me Iranin edhe pse presidenti Joe Biden u zotua për veprime hakmarrëse. Administrata e zotit Biden beson se Teherani qëndron pas sulmit.

Ai u takua me anëtarët e ekipit të tij të sigurisë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit.

Sulmi rrit shqetësimet në një situatë tashmë të tensionuar në Lindjen e Mesme, ndërsa administrata e zotit Biden përpiqet të ndalojë që lufta Izrael-Hamas të zgjerohet në një konflikt më të gjerë rajonal.

Qeveria e Irakut dënoi sulmin me dron në një përpjekje të dukshme për t’u distancuar nga një sulm i mundshëm i kryer nga grupet e mbështetura nga Irani që kanë një prani të fortë brenda Irakut.

Zëdhënësi i qeverisë Bassem al-Awadi tha në një deklaratë të hënën se Iraku “po vëzhgon me një shqetësim të madh zhvillimet alarmante të sigurisë në rajon” dhe bëri thirrje për “fundin e ciklit të dhunës”. Në deklaratë thuhet se Iraku është i gatshëm të marrë pjesë në përpjekjet diplomatike për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm.

Një grup ombrellë që përfshinë fraksionet e mbështetura nga Irani, i njohur si Rezistenca Islamike në Irak, ka marrë përsipër dhjetëra sulme kundër bazave që strehojnë trupat amerikane në Irak dhe Siri që nga fillimi i luftës Izrael-Hamas. Të dielën, grupi mori përsipër tre sulme me dronë kundër bazave në Siri, duke përfshirë afër kufirit me Jordaninë, dhe një brenda “Palestinës së pushtuar”, por deri më tani nuk e ka marrë përsipër sulmin në Jordani.

John Bolton, i cili shërbeu si këshilltar për sigurinë kombëtare në administratën e Presidentit Dondald Trump, tha se Irani nuk ka paguar një çmim për dëmet që përkrahësit e tij kanë krijuar në rajon. Ai sugjeroi se administrata e zotit Biden mund t’i dërgojë një mesazh të fortë Teheranit me sulme mbi anijet iraniane në Detin e Kuq, mbrojtjen ajrore iraniane përgjatë kufirit me Irakun dhe bazat që janë përdorur për të trajnuar dhe furnizuar grupet militante për vite me radhë.