Thu, Nov 28, 2024

Transaksione të dyshimta me shitjen dhe blerjen e pasurive të paluajtshme, SPAK sekuestron rreth 1 mln euro të ish-shefit të Operacionales, Oltion Bistri

  • PublishedJanuary 31, 2024

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka në hetim procedimin penal nr. 9 të vitit 2023, regjistruar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Ekspertimi i rremë”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Mbajtja pa leje e armëve dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Në kuadër të këtij procedimi penal po hetohet nën masën e sigurimit “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale shtetasi O. B. Nga hetimet e kryera dhe provat e administruara nga hetimi i deritanishëm i këtij procedimi është evidentuar se që nga viti 2015 e në vijim i hetuari O. B. dhe familjarët e afërm të tij kanë kryer disa transaksione të dyshimta në lidhje me shitjen dhe blerjen e pasurive të paluajtshme në një vlerë totale rreth 1 000 000 (një milion) Euro.

Në këto kushte nga Prokuroria e Posaçme është vendosur sekuestrimi për pasuritë e mëposhtme:

  1. Sipërfaqe ndërtimore e llojit apartament, me sipërfaqe totale të apartamentit përfshirë edhe sipërfaqet e përbashkëta 400 (katërqind) metra katror, me një çmim në total prej 200 000 (dyqind mijë) Euro, e ndodhur në Tiranë.
  2. Sipërfaqe ndërtimore e llojit apartament, me sipërfaqe totale të apartamentit përfshirë edhe sipërfaqet e përbashkëta 400 (katërqind) metra katror, me një çmim në total prej 200 000 (dyqind mijë) Euro e ndodhur në Tiranë.
  3. Njësia dyqan me sipërfaqe ndërtimore 125 (njëqind e njëzet e pesë) metra katror, me një çmim në total prej 300 000 (treqind mijë) Euro e ndodhur në Tiranë.
  4. Njësia dyqan me sipërfaqe ndërtimore 95 (nëntëdhjetë e pesë) metra katror, me një çmim në total prej 230 000 (dyqind e tridhjetë mijë) Euro e ndodhur në Tiranë.
  5. Sipërfaqe ndërtimore e llojit apartament banimi, me sipërfaqe totale 110.6 m2, me çmim shitje 50 300 Euro e ndodhur në Tiranë.

Ndërkohë vazhdojnë me intesitet hetimet në kuadër të procedimit penal nr.09/2023 me qëllim sqarimin e plotë të fakteve objekt hetimi, sqarimin e plotë të përgjegjësisë penale për të gjithë personat e përfshirë, si dhe hetimin e plotë financiar të gjithë të dyshuarve si autorë të veprave penale objekt hetimi.


AlbaniaWeb.net