Fri, Nov 29, 2024

Hidhet shorti i ‘Eurovision 2024’, ja kur do të performojë Shqipëria

  • PublishedJanuary 31, 2024

Shorti i gjysmë-finaleve për garën e ‘Eurovision 2024’ u zhvillua të mërkurën në Malmo të Suedisë, bashkë me një ceremoni ku simboli i qytetit pritës kaloi nga nikoqirët e vitit të kaluar në Liverpool tek miqtë suedezë.

Gjysmëfinalja e parë do të mbahet më 7 maj, e dyta më 9 maj dhe finalja e madhe më 11 maj.

Farah Abadi dhe Pernilla Månsson Colt ishin prezantueset për shortin e gjysmë-finales për ‘Eurovision 2024’. Ebba Adielsson, producente ekzekutive eSVT për ESC 2024 tha: “Shorti i gjysmë-finales është një moment kyç në kalendarin vjetor të Eurovisionit dhe diçka që me të vërtetë nis këtë pranverë emocionuese ku do të festojmë muzikën në të gjitha format e saj”.

Nga shorti i hedhur rezultoi se Shqipëria do të garojë në natën e dytë gjysmëfinale të ‘Eurovision 2024’, në gjysmën e parë të shteteve garuese, të cilat janë plot 16 – pra tetë këndojnë në gjysmën e parë dhe tetë në gjysmën e dytë.

Në rastin konkret, Shqipëria ka patur “fatin e keq” që të jetë në natën ku ka më shumë shtete në konkurrim, pasi në natën e parë janë vetëm 15 shtete garuese. Shqipëria sivjet përfaqësohet në ‘Eurovision’ nga këngëtarja e njohur shqiptare, Besa Kokëdhima, me këngën “Zemrën n’dorë”.

Kryetarja e Malmos, Katrin Stjernfeldt Jammeh, shtoi: “Malmo është një qytet i ri, i larmishëm dhe globalisht i lidhur. Ne adhurojmë të presim botën këtu, dhe punojmë fort për t’u siguruar që qyteti ynë të mbetet i hapur dhe mikpritës për të gjithë ata që zgjedhin të vizitojnë Malmos për Eurovisionin e këtij viti”.

Shorti i gjysmë-finaleve u transmetua në kanalin zyrtar të Eurovizionit në YouTube dhe, në Mbretërinë e Bashkuar, në BBC 2 dhe në shërbimin e transmetimit të BBC, iPlayer.