Thu, Nov 28, 2024

Beogradi i shpall “luftë” Kosovës për dinarin: Do sigurojmë mbijetesën e serbëve

  • PublishedFebruary 1, 2024

Pas hyrjes në fuqi të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin, Serbia reagoi përmes zëvendëskryeministrit dhe ministrit të mbrojtjes Millosh Vuçeviç i cili tha se Beogradi nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të luftojë në mënyrë politike dhe diplomatike për mbijetesën e serbëve në Kosovë.

“Gjithçka tjetër, përpos dialogut diplomatik dhe politik dhe zgjidhjeve përmes aktiviteteve të këtij lloji na çojnë drejt asaj që nuk do të donim të shihnim”, tha Vuçeviç për Radio Televizionin e Serbisë. Vendimi i BQK-së parashikon që për pagesat kesh të përdoret vetëm euro, e kjo në një kohë kur serbët lokalë në Kosovë të gjitha veprimet i bëjnë me dinarë, përfshirë dhe marrjen e pensionit. Vuçeviç e përshkroi këtë si një “sulm ndaj sigurisë ekonomike” të serbëve në Kosovë dhe se sipas tij, po krijohen “kushte të pamundshme” për mbijetesën e tyre.

Serbia, tha megjithatë ai, mbetet e përkushtuar ndaj dialogut për normalizimin e raporteve me Prishtinën, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara. “Është interesi ynë kombëtar për të ruajtur paqen”, tha Vuçec që insistoi po ashtu se rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi nuk ka të bëjë me “problemet në Kosovë”. Ekzekutivi kosovar u përpoq të sqaronte se rregullorja e BQK-së nuk nënkupton se ndalimin e transfertave të parave nga Serbia dhe as ndëshkime financiare për ata që zotërojnë valuta të vendeve të tjera.


AlbaniaWeb.net