Thu, Nov 28, 2024

Kryetarja e Kuvendit, Nikolla, apel për reflektim: PD ka sjellë krizën e saj të brendshme në Parlament, ta kapërcejmë

  • PublishedFebruary 1, 2024

Kreytarja e Kuvendit, Lindita Nikolla i bëri thirrje opozitës dhe maxhorancës për reflektim, pas tre muajsh bllokim të seancave parlamentare.

Në një intervistë të dhënë për drejtorin e Informacionit të AlbaniaWeb.net, Robert Rakipllari, Nikolla tha se opozita ka një shans që të rikthejë kërkesat për komisionet hetimore pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri.

Kryeparlamentarja nënvizoi gjithashtu se Parlamenti nuk është në krizë dhe se gjithë ky anormalitet i krijuar në seancat plenare nga deputetët demokratë ka ardhur si rrjedhojë e ngërçit, në të cilën ndodhet Partia Demokratike.

Rakipllari: Parlamenti shqiptar, që prej vitit 2023 dhe deri tani, vazhdon në një krizë të zgjatur, një nga më të rëndat e këtyre 33 viteve, nuk zhvillohen seanca parlamentare, ka bilbila, zhurmues, përjashtime etj. Pse mendoni se ka ndodhur kjo krizë, sipas jush? 

Nikolla: Unë do doja të thosha që nuk është kthyer në krizë parlamentare, sepse në krizë parlamentare do nënkuptonte që Kuvendi i Shqipërisë nuk funksionon dhe nuk ushtron detyrën e tij kushtetuese për të marrë vendime, nuk jemi në këto kushte. Patjetër jemi në një situatë ku normaliteti, zhvillimi i seancave parlamentare nuk është konform rregullores së Kuvendit, ku deputetë të opozitës shkelin rregulloren dhe Kodin e Etikes. Dhe ku, është përjashtuar le të themi debati i shëndetshëm politik për miratimin e projektligjeve. Më lejoni, t’ju them, se që me nisjen e kësaj legjislature dhe deri në momentin që flasim, ka pasur një krizë të thellë në Partinë Demokratike – që nga shtatori i 2021 gjë që përvijohet dhe po përpiqet të pozohet si krizë parlamentare. Është një krizë e brendshme e Partisë Demokratike. Opozita ka gjithë të drejtën të përdorë çdo mjet demokratik dhe kushtetues për të ushtruar funksionet e saja, por kurrsesi të sjelli rrugën e Parlament, apo rrugicën në Parlament, apo të bllokojë punën e deputetëve të tjerë që nuk mendojnë njësoj si ata.

Rakipllari: : Gjithsesi, kriza brenda opozitës është e qartë. Por ju si Parlament, Ju si drejtuese e Parlamentit e lini pezull këtë gjë dhe nuk merrni një vendim për të përcaktuar se kujt i takon kreu i grupit parlamentar, apo gjithë institucionet që varen nga Kuvendi?

Nikolla: Ju kuptova, unë nuk kam lënë asgjë pezull. Unë në këtë detyrë jam si e para midis të barabartëve, nuk jam as një drejtuese e një formacioni politik, dhe si e tillë nuk kam tager për të vendosur ca më shumë se kush është kryetari i grupit parlamentar të një partie politike. Është prerogative e partive politike me rregullat e tyre të brendshme për të vendosur edhe kushtet parlamentare, si zgjedhjet e grupeve parlamentare, se kush do të jete drejtuesi i tyre…politik. Dhe patjetër edhe vetëdeklarimi i çdo deputeti në Kuvendin e Shqipërisë. Kështu që në këtë kuptim edhe të rregullores së Kuvendit, edhe të kushtetutës, topi nuk është në fushën e Kryetares së Kuvendit. Topi është në fushën e partisë demokratike, ato janë në konflikt. I janë drejtuar gjykatës. Duhet me rregullat e tyre të brendshme të zgjidhin këtë ngërç e më pas kryetarja e Kuvendit ka detyrimin ta njoftojë Kuvendin dhe gjithë strukturat e tjera.

Rakipllari: Komisionet hetimore parlamentare kanë qenë një e drejtë e opozitës…

Nikolla: Pyetja juaj është e drejtë. Në fakt ka pasur një komision Hetimor nga opozita, unë dua të them edhe në përgjigje të kësaj pyetjeje, që drejtuesi i Kuvendit nuk është drejtuesi i asnjë grupimi politik apo force politike në Kuvend. Ai është drejtuesi i institucionit dhe seancave plenare, si i tillë kujdeset që të krijojë të gjitha kushtet administrative dhe infrastrukturore, dhe procedurat e rregullores së Kuvendit, në mënyrë që të gjithë deputetët të kenë mundësi të ushtrojnë detyrat e tyre kushtetuese. Dhe në këtë kuptim është detyrë patjetër. Kryetarja e Kuvendit nuk ka vendimmarrje politike për t’u shprehur, dhe në këtë kuptim, janë grupet parlamentare ato, forcat politike, të cilat lexojnë kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, gjykojnë mbi këto vendime dhe marrin vendimet e tyre. Në momentin që flasim ne kemi një ligj të ri për komisionet hetimore që ka të pasqyruar edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Dhe besoj ndoshta është një moment reflektimi për të vijuar më tej me komisionet hetimore nga ana e opozitës.

Intervistën e plotë me kryetaren e Parlamentit, mund ta ndiqni në edicionin qendror të lajmeve në AlbaniaWeb.net, në orën 19:30.


AlbaniaWeb.net