Bamir Topi: Shoh një PD zyrtare dhe gjashtë klone që… s’ka terapi që kuron të djathtën aktuale
Ish-presidenti Bamir Topi, i ftuar këtë pasdite në “Top Talk”, tregoi cilat janë grupimet brenda Partisë Demokratike, sipas tij.
Topi foli për linja të klonuara të partisë më të madhe opozitare.
“Shoh dy PD të ekspozuara, një zyrtare dhe shoh gjashtë klone, linja të klonuara. Identifikoj gjashtë linja të klonuara”, tha ai.
Duke krijuar një metaforë me terma mjekësorë, Topi e përshkroi situatën aktuale në PD me një sëmundje terminale, që nuk kurohet më as me terapi.
“Jemi në një moment ku po shohim pjesën terminale të sëmundjes, sëmundja ka kohë. Terapia nuk po jep asnjë lloj rezultati. Shoh që nuk ka asnjë lloj përpjekje për të dalë nga gropa. Është një sëmundje që ka degraduar prej vitesh”, u shpreh ai.
Topi foli për cilësinë mbi sasinë, si një zgjidhje për të djathtën.
“Problemi nuk është më te sasia, madje këshilla ime do të ishte që në këtë situatë duhet të dalë cilësia. Shpresën unë nuk e kam tek ata që i bëjnë qejfin njëri-tjetrit. Mos ta kenë mendjen të gjithë që do të bëhen kryeministër”.
AlbaniaWeb.net