Sat, Nov 30, 2024

Gjykata Kushtetuese vendos hapjen e seancës plenare për Butrintin

  • PublishedFebruary 1, 2024

Gjykata Kushtetuese vendosi rihapjen e seancës plenare për Butrintin duke njoftuar se i ka kërkuar Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore të vërë në dispozicion raportin përfundimtar të misionit të përbashkët të UNESCO-ICOMOS, të tetorit të vitit 2022.

Gjykata Kushtetuese thotë se, “me qëllim administrimin në gjykim të këtij raporti duke qenë se ka rëndësi për çështjen në shqyrtim , me vendimin e ndërmjetëm të 31 janarit të këtij viti ka vendosur riçeljen e seancës plenare dhe vijimin e zhvillimit të saj mbi bazë të dokumenteve”.

Gjykata Kushtetuese thotë se Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore pas kërkesës së saj për informacion ka konfirmuar se Raporti i UNESCO /ICOMOS i është dërguar këtij institucioni dhe është administruar prej tij.

Avokati Agron Alibali, përfaqësues i grupit të deputetëve opozitarë që kanë ngritur çështjen, tha për Zërin e Amerikës se vendimi më i fundit për riçeljen e seancës plenare dhe kërkimi i raportit të organizmave të UNESCO-s është sa i mirëpritur aq edhe i pashembullt në praktikën e Gjykatës Kushtetuese.

Dokumenti

Dokumenti

“Vendimi i mbledhjes së gjyqtarëve demonstron në rastin konkret maturi, durim e mençuri, pavarësisht nga sjellja jotransparente e subjekteve të interesuara apo trysnia për ta ngutur Gjykatën në vendimmarrje”, tha zoti Alibali.

Zëri Amerikes ka mësuar se raporti përfundimtar mbi misionin e UNESCO / ICOMOS në Butrint në tetor të vitit 2022 nuk është publikuar në faqen zyrtare të UNESCO-s pasi pala shqiptare nuk dha autorizimin.

Më 27 janar të këtij viti ,Zëri i Amerikës i kërkoi Institutit të Trashëgimisë Kulturore, Ministrisë së Kulturës dhe Misionit të Shqipërisë pranë UNESCO-s në Paris vënien në dispozicion të Raportit të misionit të UNESCO ICOMOS, për Butrintin, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka marrë ende përgjigje.

Qeveria shqiptare vendosi që menaxhimi i Parkut Kombëtar të Butrintit të kryhet nga një fondacion i krijuar nga Ministria e Kulturës dhe AADF, për një afat 10-vjeçar, me të drejtë ripërtëritje.

Ligji u miratua nga Kuvendi në maj të vitit 2022 dhe shkaktoi protesta dhe debate të ndezura nga shoqëria civile dhe nga deputetët opozitarë, që dyshojnë për shfrytëzim të paligjshëm dhe antikushtetues të një pasurie të madhe të vendit, e cila mund të dëmtohet nga menaxhimi përmes kësaj forme.

Një grup prej 36 deputetësh opozitarë i kërkuan Gjykatës Kushtetuese që ta shfuqizojë si antikushtetues ligjin mbi administrimin e Parku Kombëtar të Butrintit.