Kryebashkiaku i Burrelit denoncoi dhunën ndaj dy zyrtarëve shtetërorë, reagon Policia: Shoqëruam babë e bir, 1 tjetër në kërkim
Policia e Matit njofton se ka nisur procedim penal ndaj babë e bir dhe një person tjetër është shpallur në kërkim, në lidhje me një konflikt fizik të ndodhur në qendër të qytetit të Burrelit mes disa personave.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, pas marrjes së njoftimit për një konflikt mes disa shtetasve, në qendër të qytetit të Burrelit, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë dhe kanë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Mat, disa shtetas të përfshirë në këtë konflikt.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat kanë vënë menjëherë në dijeni prokurorin e gatshëm të Prokurorisë së Dibrës, për këtë konflikt, dhe në drejtimin e kësaj prokurorie, kanë kryer të gjitha veprimet e para procedurale.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, ka nisur procedimi penal për shtetasit S. R., 49 vjeç dhe E. R., 21 vjeç (babë e bir), si dhe për shtetasin A. M., 21 vjeç, i cili është shpallur në kërkim.”, njofton ndër të tjera policia.
Sipas Policisë, këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 07.05.2023, rreth orës 22:00, në qytetin e Burrelit, kanë goditur me grushte dhe me mjete të tjera, për shkak të detyrës, shtetasin H. S., me detyrë përgjegjës i Zyrës së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, dega Mat, i cili ka pësuar dëmtime të lehta fizike.
Ndërkohë, sipas njoftimit të policisë, si pasojë e këtij konflikti, ka mbetur i dëmtuar dhe shtetasi E. S., 36 vjeç, banues në Burrel, me detyrë kryetar i njësisë administrative Rukaj, i cili ka ndërhyrë për të neutralizuar konfliktin.
“Nga hetimet e kryera dhe nga deklarimet e marra, ka rezultuar se shtetasi S. R. i ka kërkuar më parë, shtetasit H. S., që t’i regjistronte në emër të tij, një pronë e cila ishte në proces gjyqësor. Gjithashtu, është shoqëruar në Komisariat dhe është marrë në pyetje mbi rrethanat e këtij konflikti, shtetasi A. D., i cili pas dhënies së deklarimit, është lënë i lirë.
Në drejtimin e Prokurorisë, grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.”, thuhet në fund të njoftimit të Policisë së Matit.
Ky reagimi i Policisë erdhi pas denoncimit të kreut të bashkisë, Agron Malaj, i cili denoncoi me video persona pranë koalicionit “Bashkë Fitojmë”, se kanë ushtruar dhunë ndaj zyrtarëve shtetërorë.
Denoncimi i Agron Malaj: Njerëzit e “Bashkë Fitojmë” dhunojnë barbarish dy zyrtarë shtetërore
Kreu i Bashkisë së Matit, Agron Malaj, ka denoncuar se njerëz të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Skënder Gjuci, kanë dhunuar barbarisht dy zyrtarë shtetërorë gjatë koncertit të mbrëmshëm, në sheshin “Ahmet Zogu”. Ai përmend me emër dhe mbiemër agresorët, duke thënë se prej kohësh po shantazhojnë qytetarët.
“Denoncim Publik! Të dashur qytetarë matjanë, gjatë gjithë fushatës time elektorale jam përpjekur të shpjegoj dhe rikujtoj se këta që kemi përballe janë një bandë që nuk rrinë dot kurrë pa bërë çorbë dhe maskarada.
Ky këtu është Sokol Hajredin Rami me bandën e tij, djali i tij Erik Sokol Rami, Klajdi Jakup Metra dhe Aldo Xhezmi Dika që godasin dy zyrtare shtetëror gjatë koncertit të mbrëmshëm në sheshin “Ahmet Zogu”, përpara zyrave të koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Ky eksponent i Partisë Demokratike pa vulë që shoqëron kandidatin Skënder Gjuci qysh kur ishte Kryetar Komune, por dhe sot mendon të shantazhojë popullin e Matit me veprime të tilla. Këto banda janë llum i neveritshëm, që mendojnë se me të tilla veprime do shantazhojnë popullin e Matit. Turp turp turp për llumin.”, thuhet në reagimin e Malajt.
Reagon Albi Dika: Isha rastësisht në vendngjarje, dënoj shpifjen e kryetarit në ikje të bashkisë
“Sqarim publik! Unë dënoj akuzën dhe shpifjen që kryetari në ikje i Bashkisë Mat ka bërë për mua dhe familjen time. Unë jam një student dhe kryetar i forumit rinor i Partisë Demokratike. Nuk jam as vrasës, as kam plagosur njeri dhe nuk kam grabitur e vjedhur ndonjëherë në jetën time.
Skenari i Agron Malaj për të marre flamurin e promovimit të paqes 6 ditë para zgjedhjeve kur ka 4 vite qe vetëm dhunon sistematikisht qytetaret e Matit dhe i mban nën presion është thjesht një maskë për të mbuluar fytyrën e vërtetë të tij.
Vendndodhja ime në vendngjarje ishte rastësore dhe si qenie humane bëra detyren time njerëzore të shuarjes së sherrit gjë të cilën e sqarova edhe ne policinë e Shtetit, e cila duket qartë dhe në videon që është postuar.
Ju bëj thirrje të gjithë të rinjve të Matit të distancohen nga çdo akt dhune dhe skenari të inskenuar nga Agron Malaj dhe drejtorët e pirë që sillen sikur janë zotër të Matit.”, thotë në reagimin e tij Albi Dika.