Fri, Nov 29, 2024

Shqetësime për lirinë e medias në Kosovë! Ndryshimi i ligjit shihet si përpjekje e qeverisë për kontroll

  • PublishedFebruary 4, 2024

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka ngritur shqetësime për ndryshimet në ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave.

Kryetari i AGK-së, thotë se me ndryshimet e propozuara, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje po synon të shtrijë ndikimin e saj mbi mediat.

“Ndryshimet që parashihen në këtë ligj të ri janë drastike dhe ndikojnë në punën e mediave online pasi që parashihet që Komisioni i Pavarur i Mediave t’i kontrollojë ato nëpërmjet licencimit dhe shpërndarjes së gjobave në rast të thyerjes së kodit, kjo për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, komunitetin është e papranueshme sepse është tendencë e qartë e Qeverisë Kurti për të vënë nën kontroll mediat online”- tha DEK Xhemajl Rexha, kryetar i AGK-së.

Shqetësuese për gazetarët është edhe shtimi i numrit të anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave, pasi konsiderohet si qeveria synon ta plotësojë këtë numër me personat e afërt me të. AGK dhe shoqëria civile kërkojnë që të përfshihen në diskutimet për ndryshimet e këtij ligji i cili tashmë ka marrë miratimin e Qeverisë dhe ka shkuar për shqyrtim në Kuvend.

“Ne me të vërtetë jemi të shqetësuar për projektligjin por jemi të përkushtuar të punojmë me Qeverinë dhe parlamentin e Kosovës në mënyrë që ta përmirësojmë draftin aktual dhe të sigurojmë që nuk krijohet asnjë pengesë për mediat dhe punën e tyre”– tha DEK Flutura Kusari, Juriste e medias.

Për shqetësimet e ngritura, kryetari i komision parlamentar për media, Valon Ramadani nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se nuk qëndrojnë.

“Ato që janë prej direktivës ose janë përafrim me Bashkimin Evropian, në këtë rast kanë punuar dy ekspertë që e kanë propozuar brenda kornizës së Bashkimit Evropian, duhet që të ndihmojmë të gjitha palët e jo të paragjykojmë se Qeveria e paska pru një ligj që do t’i kapë mediat që në fakt nuk qëndron”- u shpreh DEK Valon Ramadani, deputet nga Lëvizja Vetëvendosje.

Me këtë ndryshim, Komisioni i Pavarur i Mediave që kontrollon përmbajtjen audio-vizuale të mediave merr përsipër edhe kontrollimin e mediave online. Për përmbajtjet e publikuara që bien ndesh me Kodin e Etikës, parashihen gjoba deri në 40 mijë euro. Ndryshimet e këtij ligji pritet të diskutohen në Kuvendin e Kosovës javët në vazhdim.


AlbaniaWeb.net