“Kuvendi nuk mund të dublojë…”/ Manja i përgjigjet PD: Nuk hyjmë në gardhin tuaj, zgjidhini vetë problemet që keni
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja i është përgjigjur akuzave të opozitës për rrëzimin e kërkesave për ngritjen e komisioneve hetimore.
Në “Top Story”, ministri Manja tha se ‘kuvendi nuk mund të dublojë veprimtarinë e pushteteve të tjera’, ndërsa shtoi se nuk është detyrë e opozitës të caktojë se kush opozitë duhet të jetë në komisionin e reformës zgjedhore.
“Këto zhvillohen brenda gardhit të opozitës, nuk është përgjegjësi e maxhorancës. Është një komision i reformës zgjedhore, maxhoranca ka vetëm një detyrë, të paraqitet për të adresuar problematikat ose rekomandimet e OSBE/ODIHR. Nuk i kërkohet maxhorancës kush është njëri kush është tjetri. Sa për komisionet hetimore është një diskutim i gjatë. Sot nuk është vendi për të bërë interpretime nenit. Shumica ka të drejtë të garantojë ngritjen e komisioneve hetimore. Duhet të jetë brenda funksionit të ligjvënësit. Çështja duhet të jetë brenda funksioneve legjislative, objekti i veçantë i komisionit, duhet të jenë të dhënat fakte dhe indice për ta ngritur këtë komision hetimor. Nëse i marrim të shkëputura, e kthejmë kuvendin në një super organ. Edhe Kuvendi ka kufizimet e veta, të 8 komisionet që ka marrë opozita, kanë marrë një përgjigje nga ana jonë. Kuvendi vërtetë e ka këtë funksion, por nuk mund të dublojë veprimtarinë e pushteteve të tjera”-tha Manja.
AlbaniaWeb.net