“Nuk ka qenë ndonjë gjë kushedi se çfarë”, gruaja e dhunuar për bashkëshortin që e izoloi: Kamerat i kam vendosur vet, s’keni punë ju…
Gruja e cila dhunohej dhe monitorohej me kamera nga bashkëshorti i saj është pajisur me urdhër mbrojtje.
Një dosje voluminoze është referuar në prokurorinë e kryeqytetit ku përveç deklarimit të gruas dhe nënës së saj janë dhe materialet filmike të përftuara nga kamerat e sigurisë që vetë dhunuesi i kishte montuar Brenda banesës.
Ndonëse autoritetet po vijojnë hetimin e rastit iniciuar nga kallëzimi i gruas kjo e fundit përpiqet ta relativizojë dhunën. E kontaktuar nga AlbaniaWeb.net gruaja e ka konsideruar ngjarjen një zënkë të momentit.
Gruaja: Nuk ka qenë ndonjë gjë kushedi se çfarë
A jeni dhunuar ju zonjë?
Gruaja: Jo, pastaj se çfarë bëhet në familjen time, s’ka nevojë të ndërhyjë media. Kamerat i kam vendosur vetë
Pse i vutë kamerat?
Gruaja: Është puna ime moj, për qejf i kam vënë. Ça bëj në shtëpinë time është puna ime
A ndihesh e kërcënuar?
Gruaja: Jo, asnjë lloj kërcënimi
Çfarë marrëdhënie keni pasur ju me të?
Gruaja: Shumë të mirë
Po pse e denoncuat pra?
(Mbyll telefonin)
Por ndryshe nga sa thotë publikisht, para hetuesve gruaja ka treguar se bixhozi, dhe përdorimi i lëndëve narkotike nga i shoqi prishën marrëdhëniet mes çiftit dhe i futën në borxhe. Një ndikim patën dhe familjarët e të shoqit.
Gjatë vitit të kaluar 4300 gra denoncuan dhunën në familje, por një pjesë e madhe e tyre pas momentit të parë kanë tentuar të tërheqin denoncimin.
“Tërheqja lind me ata persona që kanë dhunë psikologjike, mendojnë çfarë do mendojë bota për mua, kam gjendje të mirë ekonomike për të rritur fëmijët? Vetë personi dyzohet në mendimin që ka dhe instiktivisht siç ka bërë kallëzimin, automatikisht ftohet mendimi, hyjnë faktorët që përmenda dhe tërhiqet”, tha juristja Eneida Bozheku.
Prej vitit 2018 me ndryshimet që iu bënë kodit penal denoncimet për dhunë në familje nuk mund të tërhiqen dhe çështja vijon të hetohet pavarësisht se e dhunuara nuk dëshiron ta vijojë më ligjërisht.
AlbaniaWeb.net