Blinken në Izrael, për të diskutuar mbi propozimin për armëpushim
Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken u takua me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Jeruzalem të mërkurën për të diskutuar armëpushimin e propozuar për Gazën.
Propozimi për armëpushim i grupit palestinez, që SHBA dhe Bashkimi Evropian e kanë shpallur organizatë terroriste, është që luftimet të ndalojnë për katër muaj e gjysmë, gjatë të cilit të gjithë pengjet do të liroheshin, Izraeli do të tërhiqte trupat e tij nga Rripi i Gazës dhe do të arrihej një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.
“Tani ia kemi dhënë përgjigjen tonë Katarit dhe Egjiptit. Ata ua kanë dorëzuar amerikanëve dhe palës tjetër. Tani presim përgjigjen e palës tjetër”, tha Izzat El-Rishek, anëtar i Byros Politike të Hamasit.
Kanali 13, një televizion izraelit, citoi një zyrtar të lartë të thoshte se disa nga kërkesat e paraqitura nga Hamasi nuk ishin të pranueshme për Izraelin, pa dhënë detaje. Izraeli ka thënë më parë se nuk do të tërheqë trupat e tij nga Rripi i Gazës derisa Hamasi të shkatërrohet.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken shkoi në Izrael pas një dite të mbushur me takime në Lindjen e Mesme dhe ndau këtë zhvillim të ri në një konferencë shtypi në Katar.
“Së bashku me Katarin dhe Egjiptin, ne parashtruam një propozim serioz që kishte për qëllim zgjerimin e marrëveshjes së fundit që ndaloi luftimet. Hamasi u përgjigj. Ne jemi duke e shqyrtuar atë përgjigje tani dhe unë do ta diskutoj atë me qeverinë e Izraelit”, tha Sekretari i Shtetit, Blinken.
Zoti Blinken tha se ka mbetur shumë punë për t’u bërë për një marrëveshje, por ai vazhdon të besojë se një marrëveshje ishte e mundur.
Kryeministri i Katarit, Al-Thani, tha se përgjigja nga Hamasi në përgjithësi ishte pozitive.
Lufta në Lindjen e Mesme filloi kur Hamasi kreu sulmin terrorist të 7 tetorit duke vrarë 1200 persona dhe duke marrë peng mbi 250 të tjerë.
Kundërpërgjigja ushtarake izraelite, deri më tani, sipas të dhënave të Hamasit, të pakonfirmuara nga burime të pavarura, kanë vrarë mbi 27 mijë palestinezë.