Fri, Nov 29, 2024

Çahet toka 3 kilometra, shpërthen sërish vullkani në Islandë, llava 50 metra në ajër!

  • PublishedFebruary 8, 2024

Shatërvanë llave që u ngritën 50 metra në ajër shoqëruan me pamje spektakolare, por edhe frikësuese njëkohësisht shpërthimin e tretë vullkanik që nga muaji dhjetor në Islandën jugperëndimore.

Pamjet nga gadishulli Reykjanes treguan lumenjtë e masës së shkrirë të zbrisnin nga një e carë toke 3 kilometra e gjatë. Qyteti më i afërt, Grindavik, ishte evakuuar tashmë gjatë shpërthimit të fundit më 14 janar, por shpërthimi i fundit ka detyruar largimin e menjëhershëm të personave të mbledhur në banjën e njohur gjeotermale Blue Lagoon.

Autoritetet vendase thanë se shpërthimi i fundit vullkanik ndodhi në të njëjtën zonë ku u regjistrua ai i 18 dhjetorit. Zyra Meteorologjike theksoi megjithatë se llava po rridhte drejt perëndimit dhe se për momentin, nuk kishte rrezik për Grindavikun apo për termocentralin e madh në këtë pjesë të vendit. Transmetuesi publik i Islandës, RUV, sqaroi se Blue Lagoon, një prej atraksioneve më të mëdha turistike të Islandës, u mbyll menjëherë pasi filloi shpërthimi i vullkanit dhe se vizitorët u evakuuan në hotele. Europa ende nuk e ka harruar shpërthimin e vullkanit Eyjafjallajokull ( ej-shaf-xha-la-xhokul) në vitin 2010, më i madhi në vitet e fundit, i cili lëshoi re të mëdha hiri në atmosferë, gjë që shkaktoi mbylljen e hapësirave ajrore në kontinentin e vjetër.


AlbaniaWeb.net