Sat, Nov 23, 2024

Silvinjo i kthehet “xhiros” në Europë. E nis në Portugali dhe e mbyll në Itali, ja me cilët lojtarë është takuar

  • PublishedMay 8, 2023


Silvinjo i kthehet “xhiros” në Europë. E nis në Portugali dhe e mbyll në Itali, ja me cilët lojtarë është takuar

8 May, 2023

8 May, 2023

Trajneri i kombëtares shqiptare, Silvinjo, si dhe ndihmësit e tij, në ditët e fundit i janë kthyer kontakteve të drejtpërdrejta dhe takimit nga afër me futbollistë që parashikohet të grumbullohen dhe të jenë protagonistë me fanellën kuqezi në ndeshjet e muajit qershor.

FSHF ka bërë të ditur se braziliani, por edhe ndihmësit e tij Zabaleta e Doriva, kanë ndjekur nga afër dhe takuar disa prej futbollistëve kuqezi të cilët aktivizohen në kampionatet elitare në Europë.

“Javën e kaluar tekniku brazilian ishte në Portugali për të parë Enea Mihajn në ndeshjen që klubi i tij Famalikao zhvilloi ndaj Portos dhe pati një takim me mbrojtësin kuqezi.

Gjithashtu, po javën e kaluar Silvinjo së bashku me ndihmësi i tij Pablo Zabaleta ka ndjekur edhe ndeshje të Granadas dhe Espanjol në Spanjë, ku janë aktivizuar Myrto Uzuni dhe Keidi Bare, me të cilët është takuar pas ndeshjeve dhe ka diskutuar për situatën që po kalojnë me klubet dhe për ndeshjet e ardhshme të Kombëtares shqiptare.

Të dielën trajneri së bashku me ndihmësin tjetër, Doriva Junior ishin në Zvicër për të ndjekur ndeshjen e Grasshopers në kampionatin zviceran, ku Abrashi u aktivizua për 90 minuta. Edhe në këtë rast Silvinjo është takuar pas ndeshjes me mesfushorin kuqezi dhe kanë diskutuar për ndeshjet e qershorit në kualifikueset e Europianit.

Aktualisht, trajneri i Kombëtares së bashku me Dorivën ndodhen në Itali, ku gjithashtu do të kenë mundësi të takohen me disa prej lojtarëve shqiptarë të cilët aktivizohen në kampionatin italian, duke nisur që nga Kristjan Asllani, Berat Gjimshiti, Etrit Berisha apo edhe Elseid Hysaj, ndërsa do të ndjekë mesfushorin Nedim Bajrami në ndeshjen e së hënës Sasuolo-Bolonja”, shkruhet në njoftimin e FSHF-së për turin e trajnerit.

Ky i fundit në muajin e kaluar kishte mbikëqyrur fillimisht ndeshjet e kampionatit shqiptar për të gjetur ndonjë alternativë në rast emergjence pasi duket pak e mundshme që në ndeshjet ndaj Ishujve Faroe e Moldavisë të ketë shumë të ftuar nga Superiorja.

PANORAMASPORT. AL

© AlbaniaWeb.net