Shtyllë, penallti e shumë raste, por Egnatia dhe Laçi ndajnë nga një pikë
Shumë raste për një pikë. Nuk ka fitues në sfidën Egnatia-Laçi me dy ekipet që ndajnë nga një pikë pas barazimit pa gola. Rezultati duket një gënjeshtër për atë që dy ekipet dhanë në fushën e lojës, luajtën një futboll të hapur me shumë raste për shënim, por ishin të pa saktë në finalizim.
Laçi iu afrua fillimisht golit të avantazhit, me Prodanin, por goditja e këtij të fundit nuk ishte në kuadrat. Ekipi i Mirel Josës ishte më kërkues në pjesën e parë, me Qaton që flirtoi me golin, por ishte i pafat teksa goditja e tij u përplas në shtyllën pingule. Egnatia reagoi për herë të parë në fundin e pjesës së parë, në minutën e 43-të, me një kundërsulm të shpejtë, por Dajsinani u tregua i vëmendshëm.
Historia ndryshoi me fillimin e pjesës së dytë, ku Egnatia mori kontrollin e lojës. Ndreca me një predhë nga goditja e dënimit gjeti Alen Sherrin në pozicion, me këtë të fundit që grushtoi në këndore.
Tre minuta më pas, Egnatia kishte shansin e artë të zhbllokonte ndeshjen teksa fituan një 11-metërsh. Nga pika e bardhë e penalltisë, Spahiu nuk u tregua i saktë, me Dajsinanin që bëri heroi duke i pritur penalltinë. Dy ekipet provuan deri në fund të dilnin me pikë të plota, por rezultati mbeti i pandryshuar.
()