Pse Duhet të Konsumoni Vezët e Shkurtëzës për Shëndetin
Veza e shkurtëzës është e pasur me vitamina dhe minerale. Shkurtëza si shpend në Shqipëri njihet edhe me emrat cyrle mali ose qikëll.
Konsumi i rregullt i vezëve të saj ndihmon organizmin të shmangë dhe luftojë disa sëmundje, sidomos ato të stomakut siç është ulçera.
Sipas të dhënave të AgroWeb.org, veza e shkurtëzës forcon sistemin imunitar, promovon një kujtesë të mirë, rrit aktivitetin e trurit dhe stabilizon sistemin nervor.
Veza e shkurtëzës është e dobishme kundër anemisë, sepse rrit nivelin e hemoglobinës në trup dhe largon toksinat apo metalet e rënda.
Kinezët e përdorin vezën e shkurtëzës për të trajtuar tuberkulozin, azmën madje edhe diabetin. Nëse vuani nga mëlçia, veshkat apo gurët në tëmth, atëherë konsumoni vezën e shkurtëzës.
Më poshtë do të gjeni disa prej të dhënave shumë interesante mbi vlerat e vezës së shkurtëzës të listuara nga AgroWeb.org:
Këto vezë përmbajnë 13% proteina. Kjo është e rëndësishme, sepse organizmi ka nevojë për proteina për të mirëmbajtur muskujt dhe për të pasur energji.
Proteina që gjendet tek veza e shkurtëzës është e një cilësie superiore. Por veza e shkurtëzës nuk ka vetëm proteina.
Ajo është e pasur me vitaminë B1, e cila quhet ndryshe edhe tiaminë. Mungesa e tiaminës shkakton patologji nervore, rënie në peshë, luhatje humori dhe konfuzion. Tiamina është e dobishme dhe merret lehtësisht nga veza e shkurtëzës.
Veza e shkurtëzës ofron shumë hekur dhe kalium që janë të rëndësishme për njeriun. Mungesa e hekurit shkakton anemi.
Hekuri është thelbësor në ndërlidhjen me proteinat dhe transmetimin e oksigjenit në gjak.
Femrat përpara menopauzës dhe fëmijët janë më të predispozuar ndaj mungesës së hekurit, një fenomen që ka pikënisjen në aparatin gastrointestinal. Kur ky sistem nuk përthith dot hekur, atëherë nis anemia.
Veza e shkurtëzës është e pasur me vitaminë A dhe B2. Vitamina A luan rol të rëndësishëm për zhvillimin e embrioneve, metabolizmin e kockave, shëndetin e lëkurës dhe qelizave, aktivitetin e antioksidantëve, transkriptimin e geneve, shikimin etj.
Kjo vezë është e pasur me fosfor dhe kalcium. Femrat dhe fëmijët janë ata që kanë nevojë për më shumë kalcium në dietën e tyre, sepse ky mineral është i nevojshëm për shëndetin e kockave, por edhe për qelizat dhe disa proçese të tyre.
Kalciumi është një nga mineralet që gjendet me tepricë në shumë burime shtazore. Fosfori është gjithashtu i domosdoshëm për jetën e njeriut. Ai është përbërës i ADN-së dhe luan rol kryesor në formimin e membranës së qelizave.
Veza e shkurtërës përmban kolesterol të mirë dhe nivelet më të larta të kompleksit të vitaminës B. Ajo bën pjesë në kategorinë së ushqimeve që nuk shkakton inflamacion.
Shkurtëza konsumon kryesisht fara, barishte dhe legume, ndaj veza e saj ka një shije të këndshme. Lëvozhga e vezës është e fortë dhe rrjedhimisht bën të pamundur hyrjen e baktereve.
Veza e “egër” e shkurtëzës është thjesht fantastike, ndaj duhet ta shijoni jo vetëm për bukurinë dhe shijen por edhe për vlerat shëndetësore./AgroWeb.org