“Zhgënjim i madh, turp”, Xavi nuk përmbahet pas blofit kundër Uzunit (VIDEO)
6 gola për 1 pikë, por në Barcelonë përjetohet si një dramë barazimi 3-3 përballë Granada-s së Uzunit. Ekipi i Xavi-t befasohet në shtëpi, bën një tjetër hap fals, një “X” që i largon gjithnjë e më shumë nga gara për titull në La Liga. 10 pikë diferencë me Realin kryesues janë shumë. Myrto Uzuni, sulmuesi kuqezi, zhvilloi një sfidë shumë të mirë përballë Lewandowskit me shokë, dhuroi një asist të pastër ndërsa flirtoi edhe me golin. Lamine Yamal zhbllokoi sfidën në minutën e 14-të duke krijuar iluzionin se kjo sfidë do shkonte drejt rrjedhës logjike, por Granada nuk u dorëzua për asnjë moment.
Në minutën e 43-të Sanchez barazoi shifrat në 1-1. Me fillimin e pjesës së dytë, në stadium pllakosi heshtja teksa Pellisteri, i shërbyer nga Uzuni, me portën e boshatisur e kishte të lehtë të dërgonte topin në rrjetë duke përmbysur rezultatin. Festa nuk zgjati shumë, pasi tre minuta më pas, Robert Lewandowski riktheu baraspeshën. Kjo përballje mori ngjyra spektakolare teksa Granada iu kundërpërgjigj tre minuta më pas duke kaluar edhe një herë në avantazh me Miquel. Për të shpëtuar Barcelonën nga kjo humbje e rëndë mendoi Yamal që realizoi “dopietën” e tij personale duke sigluar shifrat përfundimtare në 3-3. Nuk e priti mirë këtë hap fals trajneri Xavi, por mbi të gjitha presidenti Laporta:
-10 nga Reali? “Është e vështirë, sot edhe më e vështirë. Diferenca është e madhe, por jo e pamundur. Nuk do të dorëzohemi. Skuadra ka pasur besim, guxim, dëshirë… por është e pamjaftueshme. Është turp sepse ishte një mundësi e mirë për të qëndruar në garë, por po bëhet më e vështirë për ne”, u shpreh Xavi në konferencë për shtyp duke zbuluar më pas se çfarë i tha presidenti Laporta: “Ai më tha se kjo është e tepruar. Është një zhgënjim i madh. Ishte një ndeshje në shtëpi, duhej ta fitonim për të vazhduar luftën, u shpreh Xavi.
()