Thu, Nov 28, 2024

PD bën gati padinë e dytë në Kushtetuese për portin e Durrësit, Bylykbashi: Nëse nuk ndalet kjo, radhën e ka Vlora, Saranda dhe Ksamili

  • PublishedFebruary 13, 2024

Oerd Bylykbashai tha se opozita do të depozitojë padinë e dytë në Kushtetuese për Portin e Durrësit.

Bylykbashi: Sot jemi para jush për të prezantuar jo vetëm qëndrimin e PD, pro veprimin e PD në lidhje me aferën më të madhe jo vetëm korruptive, por grabitqare në historinë e Shqipërisë: grabitjen e Portit të Durrësit.
Porti i Durrësit është historikisht aseti më i madh strategjik që ky vend ka pasur.
Është një aset strategjik në të gjitha aspektet e tij, jo vetëm për sa i përket vlerës monetare, por edhe të gjitha aspekteve të tjera, që në shekuj kanë qenë pikë referimi për këto troje si një pikë zhvillimi, si një pikë reference kulture, por mbi të gjitha edhe zhvillimi ekonomik dhe modern të vendit.
Porti i Durrësit është simbol i zhvillimit urban, qytetar dhe historik.
Është pika kryesore e komunikimit detar në histori, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkanin Perëndimor, si një pikë tranziti mes Perëndimit dhe Lindjes.
Si port detar, ai ka lidhur vendin në historinë e tij me të gjitha kulturat dhe aktualisht sot është 90 përqind e transportit detar kalon nga Porti i Durrësit dhe 54 prqind e tregtisë ndërkombëtare që bën Shqipëria, kalon nga ky port.
Këto të dhëna vijnë nga institucione të certifikuara evropiane, të cilat investuan deri vonë për të modernizuar këtë port, duke dhënë edhe kredi, sepse shikonin rëndësinë strategjike dhe përcaktonin këtë port si një nyjë strategjike për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Është një nyje e transportit detare, rrugor dhe hekurudhor. Është një kompleks i jashtëzakonshëm logjistik që përpunon mallra dhe pasagjerë dhe synimi ka qenë që përmes modernizimit të tij, nëse do realizohej projekti me investime evropiane, do shkonte deri në 1.3 milionë pasagjerë në vit që qarkullonin nga ky port dhe 1.3 milionë ton mallra që do kalonin në këtë port.
Është një nyjë e komunikimit njerëzor. Tragetet që bëjnë lidhjen e Shqipërisë me Perëndimin, shkëmbejnë vazhdimisht një fluks njerëzor.
Por duhet theksuar se është edhe një aset strategjik ushtarak, më i madhi në Shqipëri. para pak vitesh, stërvitja e madhe e NATO-s, Defender 21, kishte Portin e Durrësit si një nga nyjet kryesore logjistike të një ushtrimi, në përgatitje të asaj që po vinte, agresionit rus në Ukrainë për të parë kapacitetet mbrojtëse të aleancës së NATO-s. Aset më të madh me kapacitet ushtarak ne nuk kemi.
Janë të gjitha këto dhe gjithë ai historik që qëndron pas këtij kombi, që është në 3 mijë vitet e fundit një pikë referimi e Durrësit dhe e Shqipërisë, janë ato që i japin kësaj afere jo vetëm korruptive, por edhe grabitqare, nuk është vetëm një histori korrupsioni, por edhe një histori grabitje e një aseti publik dhe strategjik, ditën për diell me veprime të qarta, të mirëmenduara të qeverisë, në shkelje të marrëveshjeve që ka bërë më herët, siç është MSA apo marrëveshje që i kushtojnë taksapaguesve shqiptarë dhjetëra milionë euro.
Të gjitha këto provojnë se kjo është një aferë, para së cilës edhe afera korruptive e inceneratorëve zbehet me ndroje.
Ne sot bëjmë me dije se PD ka përgatitur padinë e dytë për në Gjykatën Kushtetuese, me firmat e deputetëve të opozitës, për ta sfiduar sërish këtë çështje për shkeljet e rënda kushtetuese që janë bërë.
Gjithashtu do bëjmë kallëzim penal në SPAK për këtë aferë. Personat përgjegjës duke filluar nga kryeministri Edi Rama, duhet të mbajnë përgjegjësi për një veprim që qartazi, me një sekuencë po aq kriminale aktesh të miratuara nga qeveria, janë bërë aty për të veshur me një veshje juridike një marrëdhënie personale private korruptive mes Edi Ramës dhe një investitor privat arab.
E gjitha kjo për të shndërruar një pronë publike, të patjetërsueshme sipas ligjit, në një pronë private që më pas do shitet.
Ne nuk kemi qëndruar duarkryq. Sigurisht nuk patëm mundësinë gjatë kohës që PD ishte në parlament, të godiste në kohën kur marrëveshja e parë, e cila shtroi shtratin për këto veprime të mëtejshme korruptive, nuk u godit në kohën kur ratifikohej nga parlamenti.
Ne e goditëm në Gjykatë Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese duke vendosur një precedent jo në interesin e shqiptarëve, por në interesin e Edi Ramës, e rrëzoi duke pretenduar se padia ishte bërë jashtë afatit kur duhej paraqitur.
Sipas saj, ajo duhej goditur para ratifikimit, kur doktrina parashikon absolutisht që të goditej edhe pas saj. Qartazi ishte një veprim që synonte të mbante në këmbë këtë marrëveshje të Edi Ramës.
Por kjo padi e dytë që paraqesim në Gjykatë Kushtetuese, shkon më tej dhe më thellë, duke trajtuar ato aspekte të shkeljeve kushtetuese.
Dhe më pas ne gjithashtu ne kemi shkuar edhe më tej duke i shkruar letër Komisioneres për Konkurrueshmërisë në BE, për shkak të shkeljes së Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, e cila është përgjigjur se BE po e ndjek këtë çështje.
Ajo që ne synojmë jo vetëm të shpëtojmë Portin e Durrësit, por t’i vëmë fre të njëjtit mekanizëm grabitqar korruptiv që rrezikon të prekë edhe Vlorën, Ksamilin dhe Sarandën.
Nëse Gjykata Kushtetuese dhe SPAK do bëjnë detyrën, është e mundur që këto asete të mbrohen.


AlbaniaWeb.net