Akuzohet se pastroi 18,3 milionë euro të mafias italiane, kalon për gjykim dosja ndaj biznesmenit Rezart Taçi
Dosja ndaj biznesmenit Rezart Taçit, i akuzuar për pastrim parash ka kaluar për gjykim këtë të martë.
Biznesmeni i hidrokarbureve është shpallur në kërkim ndërkombëtar si pjesë e një grupi kriminal me të cilin akuzohet se pastroi 18,3 milionë euro të mafias italiane.
Disa javë më parë, SPAK mbylli hetimet ndaj tre bashkëpunëtorëve italianë të Rezart Taçit.
Prokuroria e Posaçme i kërkoi Gjykatës të dënojë për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, shtetasit italianë Francesco Zummo, Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli, si pjesë e grupit të Rezart Taçit.
Sipas SPAK tre të pandehurit italianë në bashkëpunim me Rezart Taçin, kunatin e tij Artur Balla dhe ish-shoqëruesin e biznesmenit kanë organizuar një skemë komplekse financiare të paligjshme, të shtrirë në disa shtete, me qëllim pastrimin e milionave eurove.
Sipërmarrësi 90-vjeçar nga Palermo, Francesco Zummo dhe kontabilisti Fabio Petruzzella, të dy nën akuzë kanë mbërritur në Shqipëri në qershor të vitit 2021. Ata janë pritur nga bashkëpunëtorët e Rezart Taçit, Balla e Lilo.
Në ditët në vijim u hapën disa llogari bankare në Shqipëri, ndërsa në një bankë të nivelit të dytë u transferuan 18,3 milionë euro në një llogari të vetme, të konfiskuara tashmë me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Në dosjen e SPAK ka prova që tregojnë se për transferimin dhe fshehjen e shumave monetare, institucioni në fjalë përfitonte 16% të shumës monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera.
AlbaniaWeb.net