Sat, Nov 30, 2024

Trafik armësh dhe droge drejt Maqedonisë së Veriut, bien në pranga tre persona në Elbasan

  • PublishedFebruary 14, 2024

Tre persona kanë rënë në prangat e policisë për trafik droge dhe armësh drejt Maqedonisë së Veriut.

Gjatë operacionit “Bags” u arrestua një 28-vjeçar që transportonte dy qese me 27.3 kg cannabis. ndërsa gjatë operacionit “Entrance” u arrestuan dy persona të cilët tentuan të trafikonin një kallashnikov dhe municion luftarak.

Në fshatin Rrajcë të Prrenjasit ra në pranga E. A., 28 vjeç  banues në Fushë Krujë, i cili po udhëtonte me makinën tip “Toyota”.

Ndërsa S. M., 21 vjeç dhe pasagjeri A. M., 22 vjeç, të dy banues në Divjakë u arrestuan në hyrje të qytetit të Elbasanit.

“Si rezultat i 2 hetimeve me metoda proaktive, të kryera në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca e Policisë së Elbasanit, në kuadër të megaoperacioneve “Tempulli 2” dhe “Sundimi i ligjit”, dhe të ndjekura në bashkëpunim me Prokurorinë e qarkut, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, finalizuan brenda 12 orëve, 2 operacione policore, kundër trafikimit të lëndëve narkotike dhe armëve të zjarrit.

-Në kuadër të operacionit antidrogë të koduar “Bags”, në fshatin Rrajcë, Prrenjas, shërbimet e Policisë lokalizuan dhe ndaluan për kontroll, automjetin tip “Toyota”, me drejtues shtetasin E. A., 28 vjeç, banues në Fushë Krujë. Në këtë automjet u gjetën 2 qese me rreth 27.3 kg lëndë narkotike cannabis sativa, sasi e cila dyshohet se do të trafikohej nga shtetasi E. A., drejt RMV-së. Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua në flagrancë 28-vjeçari dhe u sekuestrua sasia e lëndës narkotike.

-Në kuadër të operacionit “Entrance”, në hyrje të qytetit të Elbasanit, u lokalizua dhe u ndalua për kontroll, automjeti tip “Audi”, me drejtues shtetasin S. M., 21 vjeç, dhe ku ishte pasagjer shtetasi A. M., 22 vjeç, të dy banues në Divjakë. Në këtë automjet u gjet 1 armë zjarri kallashnikov dhe 114 fishekë luftarak që dyshohet se posedoheshin me qëllim trafikimin drejt RMV-së. Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë të 2 shtetasit, si dhe u sekuestruan arma e zjarrit dhe municioni.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme”, sipas policisë.


AlbaniaWeb.net