“Do doja të ishe këtu” Dojna Mema rrëfen lidhjen në distancë me Vlashentin
Vlashenti, një pianist, tekstshkrues dhe kompozitor, këngëtar, i rritur në hijen e kulturës franceze dhe Dojna, një gazetare dhe moderatore, e dashuruar me artin dhe të bukurën, sot flasin për 5 vite dashuri dhe për Nolan Sol.
Dojna tregon se në fillimet e tyre ishte konfuze. Kishte pak kohë që ishte ndarë nga një marrëdhënie e gjatë dhe nuk i besonte aq lehtë dikujt tjetër. Por një natë, si ato netët kur zemra është e shkëputur nga mendja dhe arsyeja, një mpirje të kaplon çdo qelizë, dhe ti vepron!
Në këtë rast Dojna veproi! Ishte një mesazh: Do doja të ishe këtu, tani! Dhe fjeti…
Dhe mesazhi i parë që ajo lexoi sapo u zgjua ishte:
“E preva biletën, në orën 13:00 jam në Tiranë.”
Pas këtij mesazhi çdo gjë ndryshoi!
Ndër të tjera ajo rrëfen:
Momenti kur kuptova që e doja shumë ishte….
Dojna: …kur më erdhi natyrshëm të ndaja gjithçka me të. Çdo ngjarje të ditës time, çdo mendim, çdo problem ia tregoja Vlashentit të parit.
Vlashent: ..kur kuptova për herë të parë në jetë se nuk ishte e pamundur të tejkaloje veten për dikë. Ka dhe momente të tjera ende sot kur imagjinoj si mund të ishte bota pa të, e aty rikujtoj se sa e dua dhe e pazëvendësueshme është ajo për mua.
Çdo ditë ne gjejmë gëzim duke….
D & V: Duke folur, duke u parë në sy, një batutë, apo djali që na futet në mes kur përqafohemi.
Kuptova që të dashurosh nuk është dhe aq e lehtë kur…
Dojna: …jetuam për disa vite me mijëra kilometra larg njëri-tjetrit dhe telefoni ishte e vetmja dritare për të qenë bashkë. Që atëherë e kemi urryer të flasim nëpërmjet një telefoni.
Vlashent: …e ke të vështirë t’i përcjellësh partnerit qartë atë që ndjen. Është një lloj ushtrimi që të kërkon punë e mund çdo ditë.