Sat, Nov 23, 2024

Pak ditë para zgjedhjeve, Luçiano Boçi u drejtohet punonjësve të administratës në Elbasan: Pres pyetjet tuaja, nëse mendoni se…

  • PublishedMay 9, 2023

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Elbasanit, Luçiano Boçi, u është drejtuar me një thirrje të gjithë qytetarëve që punojnë në administratë.

Ai u ka kërkuar atyre që t’i drejtojnë pyetje si qytetarë të informuar, ndërsa shprehet se nëse dhe ata mendojnë se Elbasani meriton më shumë, të votojnë kandidaturën e tij.

Reagimi i plotë:

Të nderuar qytetarë elbasanas që punoni në administratën shtetërore,

Jam i vetëdijshëm se ky komunikim ndodh në një çast jo të përshtatshëm, vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve vendore. Asnjë prej jush nuk ka pasur lirinë për t’ju bashkuar veprimtarive të mia publike apo për të dëgjuar prej afër çfarë synoj të sjell unë në jetën e kësaj bashkie.

Do ta kisha çmuar së tepërmi mundësinë që të merrja pyetjet tuaja prej qytetarësh të informuar mirë dhe t’u përgjigjesha imët – me besim se kështu i përgjigjem të gjithë bashkësisë së qytetarëve të Elbasanit. Por kupola politike e cila qeveris bashkinë e Elbasanit ju ka çuar në ekstremet e mbijetesës morale. Shumë prej jush, direkt dhe indirekt – më kanë përcjellë mesazhin se kjo gjëndje e survejimit të punonjësve shtetërorë është e përbuzshme, një ringjallje e 80 lekshave të Sigurimit të Shtetit.

Dua të shpreh gjithsesi mirënjohjen time më të lartë për shumë prej jush, që në kushte ilegaliteti, me konfidencialitetin më të lartë dhe në heshtjen më të thellë publike keni bashkëpunuar me mua dhe stafin tim, me ekipin e gjerë të ekspertëve që ju bashkuan shtabit tim zgjedhor për të përpunuar një program zhvillimor pro-aktiv dhe shumë ambicioz. Ju jam mirënjohës, përsëri!

Jam i bindur se për shumë prej Jush Elbasani meriton më mirë dhe duhet të administrohet ndryshe! Shumë prej jush do të ndërtonin politika sektoriale dhe plan veprime ekzekutive shumë më efektive se ato që administrata e lartë e bashkisë ka artikuluar dhe ka bërë sot të detyrueshme. Jam i qartë se Elbasani është në këtë gjendje jo nga puna juaj, por nga pengesa që ju hasni prej lart që të bëni punën tuaj siç do të donit. Keq-menaxhimi i bashkisë ka një motiv dhe ky është politik: korrupsioni gjithmonë është një ngjarje politike!

Në këto orë të fundit përpara votimit për pushtetin vendor, unë dua t’ju them se jam i bindur më shumë se kurrë se Elbasani ka burime njerëzore shumë të mira, të besueshme, cilësore – dhe moralisht të denja. Kam punuar me mëse 70 ekspertë të mrekullueshëm – të çdo moshe dhe lamie – pjesë e shtabit tim, kam përpunuar të dhëna nga të paktën 25-30 njerëz kyç në pushtetin vendor aktual, kam njohur konsulentë privatë të shkëlqyer që janë ofruar të mbështesin vizionin tim politik për ta dashur Elbasanin përmes zhvillimit të tij.

Edhe pse një numër shumë i madh burimesh njerëzore janë larguar drejt Tiranës apo jashtë vendit – ne përsëri kemi mjaftueshëm specialistë të denjë, të cilët do të çmoja shumë t’i kisha në staf – si garanci për përmbushjen e të gjithë elementeve të programit tim, ku investimet bëjnë kreun.

Në këtë aspekt, do të shpresoja që ata që më njohin t’u thonë atyre që s’më njohin se Luçiano Boçi është demokrat sepse është kundër luftës së klasave. Unë asnjëherë nuk do të shkel të drejtën e dikujt për të menduar politikisht ndërsa pasuron një program zhvillimor me ide dhe sugjerime.

Kontaktet e panumurt që kam pasur muajt dhe javët e fundit më bindin se ndryshimi në Elbasan është një domosdoshmëri, një fakt që publiku do t’a shpalosë me votë në mënyrë të panegociueshme.

Unë dua shumë që edhe ju – punonjësit e denjë të një administrate të keqtrajtuar – të bëheni pjesë e tij, ta përjetoni me gëzim këtë ngjarje të rëndësishme për qytetin tonë, për bashkinë tonë dhe të ndjeheni të fuqizuar në dëshirën tuaj për t’i shërbyer sa më mirë qytetarëve.

Nëse besoni se Elbasani meriton më mirë, bashkohuni me ata që e mendojnë njëlloj. Me 14 maj, ata bajnë ndryshimin…

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.