Blinken në Konferencën e Sigurisë të Mynihut, mes mosmarrëveshjeve të brendshme politike në SHBA
Pas vizitës në Shqipëri, sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken shkoi në Gjermani ku po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë së Mynihut.
Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës për çështjet diplomatike, Cindy Saine, ndër çështjet me të cilat pritet të përballet në Evropë është edhe ndihma ushtarake për Ukrainën që ka ngecur në Dhomën e Përfaqësuesve dhe komentet e ish presidentit Donald Trump me kërcënimin për të braktisur disa nga vendet aleate të NATO-s, nëse ai rizgjidhet.
Ndërsa Rusia vazhdon të sulmojë Kharkivin dhe qytetet e tjera të Ukrainës, ekspertët paralajmërojnë se refuzimi i Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Mike Johnson për të lejuar votimin e paketës së ndihmave për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin do të shkaktojë viktima të mëtejshme, ndërsa Kievit ka mungesa në municione dhe ushtarë.
Presidenti Joe Biden theksoi të martën pasojat dhe tha se miratimi i projektligjit do t’i jepte një mesazh tepër të rëndësishëm presidentit rus Vladimir Putin.
“Nëse nuk ndalim oreksin e Putinit për pushtet dhe kontroll ndaj Ukrainës, ai nuk do të ndalet vetëm tek Ukraina. Dhe kostot për Amerikën dhe aleatët dhe partnerët tanë do të rriten. Për republikanët në Kongres që mendojnë se mund të kundërshtojnë fondet për Ukrainën dhe të mos mbajnë përgjegjësi – historia po na ndjek”, tha presidenti Biden.
Në këtë sfond politik, Sekretari i Shtetit Antony Blinken shkoi në Shqipëri dhe në vazhdim merr pjesë në Konferencën e Sigurisë të Mynihut. Ai pritet të ketë një seri takimesh dypalëshe me homologët nga Gjermania, Ukraina, India dhe disa vende të tjera, ndër to ndoshta edhe Kina.
Disa komente nga kandidati kryesor republikan për president, Donald Trump, mund të lënë në hije takimet për sigurinë në Mynih. Ish presidenti Trump tha javën e kaluar se i pati thënë një vendi anëtar të NATO-s se nuk do t’i mbronte nga Rusia vende të caktuara aleate. Gjithashtu, ai ka ushtruar vazhdimisht trysni ndaj ligjvënësve republikanë që të mos e miratojnë ndihmën për Ukrainën.
Në Departamentin e Shtetit të mërkurën, Zëri i Amerikës shtroi pyetjen nëse politikat e brendshme amerikane do ta vendosnin Sekretarin Blinken në një pozitë të vështirë në Mynih.
“Jam i sigurtë se në Mynih do të dëgjojmë drejpërdrejt nga udhëheqësit e huaj se po ndjekin me vëmendje veprimet e Kongresit. E dimë se populli ukrainas po na ndjek dhe siç tha presidenti, historia po na ndjek gjithashtu”, tha Matthew Miller, zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
Ligjvënësit republikanë janë të ndarë për sa i përket vazhdimësisë së financimit për Ukrainën. Ligjvënësi republikan Pete Sessions i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara i kanë premtuar mbështetje Ukrainës.
“Demokratët në Senat kanë kaluar për mendimin tim një projektligj të mirë për ta furnizuar Ukrainën me çfarë i nevojitet. Pra gjithçka ka të bëjë me Ukrainën – atyre u nevojitet ndihmë me artileri dhe armatime që mund t’i furnizojnë Shtetet e Bashkuara”, thotë ligjvënësi Sessions.
Të martën, Senati me shumicë demokrate kaloi me mbështetje dypartiake një projektligj për ndihma prej 95 miliardë dollarësh, nga të cilat 60 miliardë janë për Ukrainën. Ligjvënësi Sessions tha se ai beson se Kongresi do të arrijë të gjejë një mënyrë për ta miratuar projektligjin.
AlbaniaWeb.net