Sat, Nov 23, 2024

“Biznesit të madh do i ulet taksa 50%, të voglit 80%”, Indrit Hoxha: Drejtorët e bashkisë Vorë bëjnë presion në çdo shtëpi për votën

  • PublishedMay 10, 2023

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet e 14 majit në bashkinë e Vorës, Indrit Hoxha, i ftuar në studion e emisionit “Open” ka folur në lidhje me fushatën elektorale deri më tani.

Hoxha deklaroi se fushata nuk ka qenë e lehtë deri më tani pasi i është dashur të përballet me ato që i cilësoi si makinacionet e qeverisë për përdorimin e parave publike, manipulimin e votës dhe përdorimi i personave me precedentë kriminalë.

Sakaq, ai përmendi edhe paditjen që i ka bërë kryebashkiakut aktual të bashkisë së Vorës në SPAK për një tender me vlerë 2.3 milionë euro për pastrimin e qytetit, duke thënë se për të do jepet llogari.

Ai shtoi më tutje se ka dokumentuar dhe faktuar “çdo targë makine që i shkon mbrapa demokratëve deri te dera e shtëpisë” dhe se drejtorët e bashkisë Vorë po bëjnë presion për votën “shtëpi më shtëpi”.

“Nuk ka qenë fushatë e lehtë sepse më është dashur të përballem me makinacionet e qeverisë për përdorimin e parave publike, manipulimin e votës dhe përdorimi i personave me precedentë kriminal

OSBE-ODHIR dhe SPAK do i shkojë i gjithë informacioni që po përgatit nga stafi im. Vora simbol i krimit i pushtetit të Edi Ramës. Në 4 vite ka ndërruar 5 kryetarë bashkish. Problematika më e madhe kur kam dalë si kandidat ishte se kushdo më kujtonte fushatën e 2015 dhe ishte i terrorizuar, sepse njerëz me precedentë kriminal kishin krah tyre edhe policinë e shtetit.

Kam premtuar se fushata këtë vit do të jetë e qetë, dhe bandat tashmë janë strukur si miu. Sot kanë kuptuar që bashkia i ka ikur nga duart.

Bashkinë kërkoj t’ua kthej qytetarëve. Si mund të falimentojë bashkia që është nyjë kyçe në vend. Kundërshtarin e kam ftuar në debat publik, secili të tregojë programin e vetë.

Unë kam çuar gjithë dokumentacionin e nevojshëm në SPAK, i bëj thirrje të veprojë sa më shpejt. Kam besimin e madh te SPAK dhe krahas këtij kallëzimi kam vënë në dijeni këto shkresa për trupat e huaj diplomatikë. Sot kemi të dokumentuar dhe faktuar çdo targë makine që i shkon mbrapa demokratëve deri te dera e shtëpisë. Kemi çdo drejtor të bashkisë Vorë që u bën presion shtëpi më shtëpi njerëzve për votën. Kemi çdo zyrtar apo eksponent kriminal banorëve që nuk kanë marrë shtëpitë e tërmetit. Në Vorë po i ndajnë njerëzit në socialistë dhe demokratë për rastin e tërmetit. Demokratët nuk mund të lihen mes 4 rrugëve. Biznesit të madh nuk do i fal detyrimet që ka, do i ul taksat me 50%. Biznesit të vogël do i fal detyrimet e 4 viteve të fundit dhe do i ul taksat me 80%”, u shpreh Hoxha.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.