Vritet në Spanjë piloti rus që dezertoi
Një pilot rus i cili dezertoi duke shkuar në Ukrainë me helikopterin e tij vitin e kaluar u gjet i vdekur në një garazh nëntokësor në Spanjë javën e kaluar, me trupin e mbushur me plumba, njoftuan mediat ukrainase dhe spanjolle të hënën.
Agjencia shtetërore e lajmeve spanjolle EFE njoftoi se një trup i gjetur më 13 shkurt në qytetin Villajoyosa, pranë Alikantes në Spanjën jugore, ishte i pilotit Maxim Kuzminov, i cili ishte ulur në Ukrainë me helikopterin e tij Mi-8 gushtin e kaluar.
Ai po jetonte në Spanjë me një pasaportë ukrainase me një emër tjetër, tha ajo. Një zëdhënës i zbulimit ushtarak të Ukrainës, GUR konfirmoi për agjencinë Reuters se Kuzminov kishte vdekur në Spanjë, por nuk dha shkakun e vdekjes.
Gazeta ukrainase Ukrainska Pravda gjithashtu njoftoi se ai ishte gjetur i vrarë me armë zjarri. Policia spanjolle ka konfirmuar se është gjetur një trup i një viktime i vrarë me armë zjarri në qytet, por nuk ka bërë të ditur identitetin e viktimës.
Një burim në policinë civile të Spanjës, Guardia i tha agjencisë Reuters se viktima mund të ishte duke jetuar nën një identitet të rremë. Gazeta spanjolle “La Informacion”, e cila njoftoi e para për vdekjen, tha se hetuesit po kërkonin për dy të dyshuar të cilët ishin larguar me një automjet që më vonë u gjet i djegur në një qytet aty pranë.
Dezertimi i Kuzminovit në Ukrainë u prezantua vitin e kaluar si një fitore e madhe për Kievin. GUR tha në atë kohë se e kishte nxitur atë të dezertonte.