Tirana, trajneri Fagu pas debutimit: Kam skuadër me kualitet, por s’do bëj mrekullira
Tekniku i Tiranës, Erbim Fagu dha mendimin e tij pas barazimit pa gola në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Teutës.
“Ishte dita e parë dhe logjikisht do ndiqja linjën që kishim. Patëm mungesë Latifin dhe Deliun, mendova të rreshtohesha me kujdes në mbrojtje. Unë jam optimist për ekipin që kam, e kam ndjekur kampionatin. Kontigjenti është, ka kualitet dhe mendoj që kemi mundësitë të arrijmë objektivat.
Final Four ideal? Skemën nuk e komentoj dot pasi është tani, unë kam besim dhe do të arrijmë 4-shen për të synuar titullin kampion. Rotacion? Latifi i dëmtuar dhe Deliu me grip, nuk bëmë rotacion.
Porta e paprekur pas shumë kohësh? Nuk mund të them që ishte strategji, por janë disa momente që gjatë lojës lojtarët bëjnë këtë zgjidhje duke patur parasysh lodhjen fizike me 6 ndeshjet e fundit. Donim të luanim me top poshtë, por nuk është e prerë me thikë. Edhe Teuta na hapi probleme duke ndryshuar modulin.
Lodhje fizike apo psikologjike? Nuk di ta them me saktësi, por unë nuk pashë ndonjë rënie psikologjike nga lojtarët, më shumë fizike.
Çfarë do të ndryshoj? Nuk do të bëj ndonjë mrekulli për kaq kohë sa ka ngelur. Si çdo trajner, ka filozofitë e veta të cilat unë do të mundohem t’ja përcjell ekipi në një kohë të shkurtër. Kjo është sfida ime më e madhe.
Tirana i ka mundësitë të shpallet kampion edhe me këtë kontigjent. Kemi kualitet dhe jam besimplotë, do t’i bëjmë yzmetin për të arritur objektivin. Kjo ishte një nga objektivat që kam diskutuar edhe me presidentin”, tha Fagu.