Fri, Nov 29, 2024

“Burgu është ofertë korrupsioni”/ Karamuço: Njerëzit rrinë 5-7 muaj në paraburgim, pa u marrë në pyetje nga asnjë

  • PublishedFebruary 22, 2024

Gazetari Julian Kasapi ka deklaruar se puna e shtetit nuk duhet të përfundojë me burgosjen e një personi me precedent penal, por duhet të ketë metoda për pendimin dhe riintegrimin e tij në shoqëri.

I ftuar në “Top Story”, Kasapi tha se amnistia nuk është bërë prej 4 vitesh shkak të debateve politike.

Nga ana tjetër, profesori Ervin Karamuço është shprehur se burgu është një ofertë korrupsioni, një vend ku një person farethjesht mund të kthehet në kontigjent kriminal. Sipas Karamuços, ka raste kur personat rrinë në paraburgim 5-7 muaj pa u ndërmarrë asnjë veprim hetimor ndaj tyre.

Julian Kasapi: Kur futesh në burg është një problem për t’u zgjidhur. Tani në botën demokratike duhen parë edhe këto metodat alternative sikurse rasti i amnistisë. Një person nuk futet në burg dhe gjithçka mbyllet aty, ai duhet të riintegrohet.

Amnistia duhet të jetë e përvitshme. Për shkak të debateve politike amnistia nuk është bërë prej 4 vitesh. Pse të mos pranojmë që ka persona që janë rehabilituar. Burgu është harta e fundit zgjidhëse e këtij problemi.

Karamuço: Burgu është ofertë korrupsioni sepse burgun ai e vuan, familja e tij e vuan. Dhe çfarë ndodh? Ata do të mundohen të paguajnë sa më shumë për ta nxjerrë nga burgu. Burgu është një ofertë që ti të inkriminohesh, pasi kur ti fut në burg atë 5 muaj nuk shkon njeri ta pyesi. Nuk ka nisur ende procesi hetimor. Oficeri i policisë gjyqësore duhet të shkojë ta pyes. Ka pasur edhe 7 muaj që një person rri në burg pa asnjë veprim. Në momentin që ti burgos një person shteti ka dështuar sepse po e fute brenda e bën kontigjent, rehabilitimi ka dështuar. Punë jashtë nuk ka, punë brenda bëjnë vetëm ato artistiket. Ti e nxjerr një person më keq seç hyri. Ai rasti i atij plakut në Lezhë më ka bërë shumë përshtypje. Doli nga burgu pasi kishte bërë një krim në familje, burgu njofton policinë që ta ruante pasi kishte dalë nga burgu, Policia e anashkaloi, ai vajti në fshat, sa hyri, e vranë.


AlbaniaWeb.net