Sat, Nov 23, 2024

110 vjetori i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadukshi: Të kujtojmë ata që kontribuuan për krijimin e sistemit të drejtësisë

  • PublishedMay 10, 2023

Në kuadër të 110 vjetorit të Gjykatës së Lartë, zëvendëskryetar i kësaj gjykate, Sokol Sadushi gjatë fjalës së mbajtur, u shpreh ndër të tjera se organizim i sotëm është kuptimplotë për të kujtuar ata që kontribuan për krijimin dhe konsolidimin e sistemit të drejtësisë.

Ai u shpreh po ashtu se problematika të shumta e kanë shoqëruar sistemin, të cilat nuk ishin vetëm të drejtësisë, por të të gjithë pushteteve, por se reformat dhe nevoja për ndryshim, kanë qenë bashkëudhëtare në këtë rrugëtim.

Fjala e plotë:

Kënaqësinë e veçantë që të krijon hapja e kësaj Konference Ndërkombëtare në një datë të shënuar për historinë e drejtësisë shqiptare dhe të 110 vjetorit të krijimit të Gjykatës së Lartë, do të dëshiroja ta ndaja me Ju, të nderuar pjesëmarrës.

110 vjet më parë, etërit themelues të shtetit shqiptar ideuan fillimin e ngritjes së sistemit të drejtësisë dhe të Gjykatës së Diktimit. Vështirësi të panumërta kanë qenë bashkëshoqëruese të këtij procesi. 10 maji na sjellë në vëmendje se drejtësia, veç të tjerave, ka dhe dimensionin e saj historik. Pothuajse në çdo periudhë të ringritjes dhe të konsolidimit të shtetit, drejtësia shqiptare është gjendur përballë sfidave. Prej vitesh kjo datë ka marrë peshën e rëndë të kujtesës, analizës, ndërgjegjësimit, kritikës, mirënjohjes, reflektimit, krenarisë kombëtare dhe legjitimitetit institucional. Gjykata e Lartë ka qenë përherë pjesë e këtj rituali, sepse 10 maji lidhet drejtpërdrejt me krijimin e saj.

Ky organizim në ditën e sotme është modest, por kuptimplotë për të kujtuar ata që kontribuan për krijimin dhe konsolidimin e sistemit të drejtësisë, megjithë vështirësitë, me të cilat është ndeshur shteti shqiptar. Jo pak prej tyre janë lënë në harresë, por edhe janë mohuar, pavarësisht kontributeve që kanë dhënë dhe veprave që kanë lënë, disa prej tyre janë konsideruar si të përkëdhelur nga regjimet politike, ashtu si të tjerë janë etiketuar, sulmuar deri edhe martirizuar si të padëshiruar prej tyre. Ne nuk marrim përsipër të gjykojmë, por t’i japim atyre vendin që u përket në historinë shumëvjeçare të drejtësisë shqiptare. Pozicionin e tyre në histori le ta vlerësojë gjithesekush sipas botëkuptimit të tij, por Ne të gjithë duhet të pranojmë se fal kontributit dhe përkushtimit të atyre që sakrifikuan dhe u sakrifikuan për drejtësinë, përkujtojmë sot dhe për çdo vit 10 majin, datën historike që na bën krenar për funksionimin mbi një shekull të drejtësisë shqiptare.

Problematika të shumta e kanë shoqëruar sistemin, të cilat nuk ishin vetëm të drejtësisë, por të të gjithë pushteteve. Reformat e shpeshta dhe të thella, të shkaktuara nga përmbysja e rregjimeve politike, por edhe nga nevoja për ndryshim, kanë qenë bashkëudhëtare në këtë rrugëtim. Ajo që nxjerr në pah historia e drejtësisë shqiptare është se paqendrueshmëria politike dhe sociale kanë ndikuar te drejtësia, e cila nga ana e saj nuk i’a doli të ravijëzojë një profil të saj, tërësisht të pavarur nga këto dy faktorë. Drejtësia është aq e pavarur dhe e arrirë sa është edhe vetë shoqëria ku ajo funksionon. Prandaj, historia dhe kujtesa duhet të na shërbejnë për të mos përsëritur gabimet e të shkuarës.

Edhe në periudhën aktuale, drejtësia shqiptare përballet sërish me vështirësi, të vjetra, të trashëguara ndër vite, por edhe të reja e të panjohura. Numri në rritje i çështjeve gjyqësore kundrejt numrit të ulët të gjyqtarëve, vonesat në gjykim, mosekzekutimi i vendimeve të formës së prerë, praktikat e ndryshme për çështje të ngjashme, niveli profesional, etik dhe moral i magjistratëve, por edhe pandëshkueshmëria kërkojnë zgjidhje tërësore dhe strategjike. Të gjitha këto sfida, të vjetra a të reja kanë të përbashkët nevojën për t’i përballuar me masa të përshtatshme dhe efektive, që janë vendimtare për suksesin ose dështimin.

Besoj fort se pavarësisht masave që ndërmerren, faktor vendimtar për suksesin është nevoja për ndryshimin e mentalitetit. Nëse ai mbetet i pandryshuar, çdo reformë është e destinuar të dështojë. Përshtatja e mentalitetit njerëzor me zhvillimet e reja ligjore, sociale, politike edhe teknologjike është sfida e madhe që ka sot, jo vetëm drejtësia, por e gjithë shoqëria.

Rritja e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë mbetet një tjetër sfidë. Gjyqësori e përmbush misionin e tij në mënyrë efektive vetëm kur publiku krijon besim se, gjykatat, edhe kur gabojnë, veprojnë krejtësisht të pavarur. Kjo do të thotë besim në një gjyqësor të pavarur, të ndershëm dhe të paanshëm, besim në standardet etike të gjyqtarit, besim se gjyqtari nuk shpreh pikëpamjet e veta personale, se nuk është palë e interesuar në proces dhe se nuk është duke luftuar për pushtetin e tij, por për të mbrojtur demokracinë dhe shtetin e së drejtës.

Referuar temës së kësaj Konference, por edhe ndjeshmërisë si gjyqtar për të bërë më të mirën në shërbim të drejtësisë, u përqendrova tek sfidat e sistemit. Ato janë të shumta, por gjithësesi jo të pakapërcyeshme. Nuk kanë qenë të pakta sfidat as kur u caktua 10 maji i vitit 1913, si dita e miratimit të Kanunit të Zhurisë, aktit kryesor që i dha kuptim kësaj date. Megjithatë ja ku jemi, shumë kohë më pas, duke reflektuar për sfidat që kemi dhe ato që na presin. Vështirësitë do jenë përherë të pranishme, por ajo që duhet të ndryshojë është mënyra se si përballemi me to, duke treguar forcë, durim, këmbëngulje dhe mendje të kthjellët për t’i dhënë publikut drejtësinë e munguar!

Të nderuar pjesëmarrës!

Në kujtesë të këtij përvjetori dhe në nderim të atyre që ju përkushtuan ngritjes dhe konsolidimit të drejtësisë shqiptare, ndjehemi të obliguar për evidentuar rrugëtimin 110 vjeçar të Gjykatës së Lartë përmes disa veprimtarive të zhvilluara me këtë rast, ku do të veçoja dy botime me vlerë të veçantë historike, por edhe jurisprudenciale.

Në traditën e çdo rregjimi politik përmendja, referimi dhe, për më tepër, përkujtimi dhe vlerësimi i kontributit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë është konsideruar herezi, ndërkohë që nuk kanë munguar sulmi, anatemimi, mohimi dhe ndëshkimi për të gjithë punën e tyre.  Pikërisht, përgatitja e një historiku të Gjykatës së Lartë prej krijimit të saj, për të përfshirë për herë të parë të gjithë emrat e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe të Këshillit të Shtetit, si dhe dokumente arkivorë me fakte mjaft interesante, gjendet sot në dorën tuaj.

Një tjetër botim po aq i rëndësishëm dhe me vlerë është “Vendime të Gjykatës së Lartë në 110 vjet përvojë gjyqësore”, në të cilin janë përzgjedhur 282 vendime prej vitit 1918 deri sot, që trajtojnë çështje juridike të natyrave të ndryshme, përmes arsyetimit të të cilave përçohet informacioni për situatën politike dhe sociale në vend, përgjatë periudhave historike, por edhe origjinaliteti në përdorimin e gjuhës shqipe.

Vendimet që lidhen me momente vendimtare në historinë e Shqipërisë, si shkëputja nga ligji osman dhe krijimi i kuadrit ligjor shqiptar, zgjidhja e konflikteve gjyqësore jo sipas sheriatit, por sipas ligjit civil, dënimi me vdekje i disa figurave të rëndësishme me kontribut të ndjeshëm për ndërtimin e shtetit shqiptar, si Fan Noli, Hasan Prishtina etj, zbatimi i legjislacionit të perandorisë italiane gjatë pushtimit fashist, rikthimi i legjislacionit shqiptar gjatë pushtimit nazist, me efekt edhe në Kosovë, dënimi me vdekje ose burgim i disa gjyqtarëve pas përfundimit të luftës dhe instalimit të regjimit komunist, emërimi dhe shkarkimi i gjyqtarëve nga radhët e atyre që kishin shërbyer në luftë, pavarësisht formimit dhe profesionalizmit, analiza e instituteve të reja të së drejtës, forcimi në vazhdimësi i luftës së klasave dhe ndërhyrja e ideologjisë komuniste në analizën teorike-praktike të veprave penale dhe të marrëdhënieve juridike civile, të shoqëruara me vendimmarrje të ashpra dhe jo proporcionale, përballja pas viteve ’90 me ndryshimin e regjimit dhe kalimin në sistemin demokratik që u shoqërua me një paqartësi dhe mungesë orientimi ndaj teorisë dhe praktikës bashkëkohore, pavarësia e shumëkërkuar e gjyqësorit nga politika dhe interesa të tjera, megjithë reformat e vazhdueshme, etj, etj, janë disa nga perceptimet, emocionet, informimi, kritikat dhe vlerësimet që merren nga leximi i kësaj përmbledhje vendimesh.

Pa modesti, them se për herë të parë bëhet një përpjekje e tillë institucionale për të paraqitur mbi baza arkivore përvojën gjyqësore shqiptare në më shumë se një shekull histori. Kjo është më e pakta që mund të bëjmë për të nderuar kontributin e tyre.

Këto botime do të jenë një bazë e mirë për të bërë studime, analiza dhe për të reflektuar për historinë, jurisprudencën dhe zhvillimin social e politik të vendit. Çdo popull ka pjesë të historisë që nuk e bëjnë të ndihet aq krenar sa do dëshironte, por kjo nuk do të thotë të mos kesh kujtesë. Krenaria e një shoqërie matet edhe me aftësinë që ka për të dalë mbi veten dhe për të reflektuar. Botime të tilla janë përpjekje për të edukuar juristët e rinj se puna që bën dhe kontributi që gjithsecili jep në kohë të ndryshme mund të nderohet, kritikohet, dënohet, por asnjëherë nuk duhet të injorohet dhe harrohet, pasi është pjesë e pandashme e historisë sonë, si shtet dhe si shoqëri.

Mbi këto reflektime u nxitëm për të zgjedhur edhe temën e kësaj konference. Lidhja e identitetit dhe e vlerave të traditës kombëtare me standardet e gjithëpranuara si vlera universale është mënyra më e mirë për ta perceptuar gjyqësorin jo thjesht si makineri e zgjidhjes së konflikteve të ditës, por si një aktor i pazëvëndësueshëm në ngritjen dhe forcimin e shtetit të së drejtës. Historia na ka mësuar se një gjyqësor i pavarur e bën qeverisjen më të mirë, më të përgjegjshme.

Kultura gjyqësore kombëtare dhe marrëdhënia e saj me historinë dhe vlerat universale do të trajtohet gjerësisht sot në këtë konferencë. Do të sillen përvoja dhe këndvështrime të ndryshme të kolegëve që ndajnë të njëjtat sfida me gjyqtarët shqiptarë apo nga ata që i kanë kaluar në rrugëtimin e tyre drejt Bashkimit Evropian. Ky shkëmbim idesh dhe përvojash do të na ndihmojë të gjejmë mënyra dhe rrugë të reja për t’u përmirësuar, për të marrë atë që na mungon dhe për të shmangur atë që është e dëmshme. Shqipëria është e orientuar me kohë drejt integrimit në BE, ku padyshim, gjyqësori ka rolin e tij vendimtar.

Më lejoni së fundmi të shpreh mirënjohjen time të thellë për ata që bënë të mundur përkujtimin e kësaj dite të shënuar.

Së pari, një falënderim i takon Projektit “Rritja e mbrojtjes së të drejtës së pronës dhe ekzekutimi i vendimeve të GJEDNJ në Shqipëri, i financuar nga fondet e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, i cili asiston prej vitesh Gjykatën e Lartë në rritjen e performancës së saj. Në saj këtij projekti është bërë i mundur realizimi i dy botimeve që ju po merrni sot, si dhe zhvillimi i kësaj konference ndërkombëtare.

Së dyti, një falënderim dhe mirënjohje e veçantë i takon Arkivit Qendror Shtetëror, posaçërisht drejtorit të tij, z. Ardit Bido, për ndihmën e pakursyer që i ka dhënë grupit të punës në përgatitjen e botimeve dhe dokumentarit për 110 vjetorin e Gjykatës së Lartë.

Së fundmi, por jo nga rëndësia, një falënderim i veçantë i takon grupit të punës të Gjykatës së Lartë, që prej muajsh është angazhuar maksimalisht për të nxjerrë nga arkivat dhe për të sjellë për publikun dokumente me shumë vlerë, që shohin për herë të parë dritën e botimit, si një provë e gjallë e historisë së gjyqësorit shqiptarë. Falenderime të merituara i takojnë gjyqtar Ilir Pandës si drejtues i komisionit organizator dhe, në veçanti, Drejtores së Kabinetit, zj. Arta Vorpsi dhe specialistëve të Qendrës së Dokumentacionit, si njësia më e re e Gjykatës së Lartë, por edhe Drejtorisë së Marrëdhënieve me Publikun dhe me Jashtë, pa angazhimin dhe përkushtimin e të cilëve nuk do kishim rezultatet e dëshiruara.

Ju faleminderit për angazhimin për të dhënë kohën, idetë dhe përvojën Tuaj në shërbim të drejtësisë shqiptare.

I uroj punime të mbara kësaj konference.

Gëzuar Ditën Kombëtare të Drejtësisë!

Gëzuar 110 vjetorin e themelimit të Gjykatës së Lartë!

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.