Gjykata lë të lirë ish kryebashkiakun Dako, vendos “arrest shtëpie”
Në Shqipëri, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, vendosi sot të ndryshojë masën e sigurisë ndaj ish kryebashkiakut socialist Vangjush Dako, duke e lënë atë në arrest shtëpie.
Zoti Dako u arrestua në qershor të vitit të kaluar, dhe që nga ai moment ka qëndruar në paraburgim. Por Gjykata konstatoi sot se afatet e paraburgimit gjatë hetimeve paraprake kishin përfunduar, duke urdhëruar për pasojë, lirimin e tij.
Prokuroria e posaçme i mbylli hetimet ndaj zotit Dako në dhjetor të vitit të shkuar, por çështja nuk ka kaluar ende në proces gjyqësor. Ndaj ish kryebashkiakut është ngritu akuza e “Shpërdorimit të detyrës” në dy raste. I pari lidhet me procedurën e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatësh si dhe me plotësimin e dokumentacionit deri në regjistrimin e pasurisë. Zbardhja e lejes së ndërtimit sipas Prokurorisë është bërë tre vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar, duke hartuar më pas në mënyrë fiktive dokumentacionin e kërkuar.
Rasti i dytë lidhet me procedurën e një tenderi për projektin e një shëtitoreje përgjatë bregdetit, me një fond prej 21 milionë lekësh. Sipas hetimit, përllogaritja e fondit limit është bërë në mënyrë të gabuar, duke nxjerrë një vlerë disa herë më të lartë, dhe se nuk janë marrë masa për të korrigjuar gabimin, ndonëse ai ishte vënë në dukje nga aktet e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Zoti Dako, i cili ka drejtuar qytetin e Durrësit për tre mandate, i ka mohuar akuzat. Një nga ish eksponentët e Partisë socialiste, në vitin 2019 ai u bë personi i tretë nga Shqipëria ndaj të cilit Departamenti amerikan i Shtetit vendosi ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara, për të dhe familjen e tij pasi u konsiderua se ishte i përfshirë në korrupsion madhor.