Sat, Nov 30, 2024

Taksistët grevë në Greqi! Bllokojnë rrugë kryesore të Athinës: Duam ulje taksash

  • PublishedFebruary 27, 2024

Radhët e gjata të taksive kanë vështirësuar qarkullimin e makinave në kryeqytetin grek pasi taksistët kanë filluar një grevë 48-orëshe prej mëngjesit të së martës.

Më shumë se 200 taksi kanë kaluar nëpër qendër të Athinës dhe më pas kanë bllokuar disa prej rrugëve kryesore. Taksistët i janë përgjigjur thirrjes së sindikatës së tyre për të dalë në këtë protestë me një sërë kërkesash ekonomike si uljen e taksave, rritjen e tarifave nga dhe drejt aeroporteve apo edhe aksesin në korsitë e autobusëve.

“Para zgjedhjeve, qeveria premtoi se nuk do të vendosë taksa. Tani ajo vjen dhe takson 600 mijë të vetëpunësuar (shoferë) me një taksë nga 3 deri në 3.500euro. Për taksinë kjo është një gjunjëzim ekonomik, një gur varri, kur për momentin kemi 40% rënie të punës”-shprehet Georgios Voilis, shofer taksie.

Dita e dytë e grevës së taksive përkon me një grevë mbarëkombëtare të thirrur nga sindikata kryesore e sektorit publik të Greqisë në ditën e përvjetorit të parë të katastrofës më vdekjeprurëse hekurudhore në vend, atë të luginës së Tembit, ku nga përplasja e një treni pasagjerësh me një tren mallrash, u vranë 57 persona ,shumica studentë ,mes tyre edhe disa me origjinë shqiptare, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën.

Mbi 780000 persona, kanë firmosur tashmë një rezolutë , iniciativë e nënës së një prej viktimave të këtij aksidenti ,me anë të së cilës qytetarët grekë kërkojnë nga parlamenti, nisjen e procedurave, për rishikimin e Kushtetutës dhe aktivizimin e ligjit për përgjegjësinë e ministrave, si dhe heqjen e imunitetit të deputetit, kur lind përgjegjësia penale për figurat politike.

A ka mundësi që kanë vdekur 57 persona ,pasagjerë në një tren dhe ministri i transportit nuk mban përgjegjësi penale? Si është e mundur të ketë vrasje pa përgjegjësi penale?“- shprehet Maria Karystianou, Pediatre dhe nënë e një prej viktimave të aksidentit

Greva e së mërkurës pritet të ndërpresë të gjithë transportin publik në kryeqytetin grek, tragetet do të mbeten të ankoruara në porte, asnjë linjë hekurudhore nuk do të punojë, nuk do të ketë asnjë fluturim nga dhe drejt aeroporteve greke. Me personel sigurie do të punojnë spitalet shtetërore, nëdrsa në greve do të marrin pjesë edhe mësuesit e shkollave publike si dhe sindikatat e nënpunësve të bankave.


AlbaniaWeb.net