Sat, Nov 30, 2024

Samiti i Ukrainës/ Hasani takim me homologun ukrainas, Dmytro Kuleba: Plani me 10 pika i Zelensky-t, mundësia më realiste për arritjen e paqes

  • PublishedFebruary 28, 2024

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani ka mirëpritur në takim homologun e tij ukrainas, Dmytro Kuleba, i cili ndodhet në Tiranë si pjesë e delegacionit që shoqëron Presidentin Zelensky në Samitin Ukrainë-Europa Juglindore që do të mbahet sot në mesditë në “Pallatin e Kongreseve”.

Në një deklaratë për shtyp pas takimit, Hasani ka shprehur mbështjen e Shqipërisë për sovranitetin, lirinë, pavarësinë, tërësinë territoriale të Ukrainës.

Shqipëria dënon me forcë agresionin rus ndaj Ukrainës. Vijojmë përpjekjet për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për krimet e kryera në Ukrainë”- tha ministri Hasani.

Sipas Shefit të diplomacisë shqiptare, plani me 10 pika i Presidentit Zelensky, është mundësia më realiste për arritjen e paqes në konfliktin me Rusinë.

“Plani me 10 pika i Presidentit Zelenskyy, mundësia më realiste për arritjen e paqes. Bashkë me aleatët, të angazhuar për realizimin e Pikës 5 për “Rivendosjen e tërësisë territoriale dhe sovranitetit të Ukrainës”.

Ukraina, përparësi e punës së Shqipërisë në të gjitha forumet ndërkombëtare. Hapja e Ambasadës tonë në Kiev, shpresojmë brenda këtij viti”- tha Hasani.

Ministri zbuloi se në fokus të takimi ka qenë ndihma ekonomike që Shqipëria mund të ofrojë për Ukrainën e rrënuar nga lufta.

“Diskutuam për avancimin e marrëdhënieve të mira Shqipëri-Ukrainë. Në fokus të bisedës, ndihma ekonomike që Shqipëria mund të ofrojë për Ukrainën. Dakortësi për rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve”- tha ministri, duke ritheksuar mbështetjen e rrugës evropiane të Ukrainës.

“Mbështesim avancimin e Ukrainës në rrugën e saj pro-evropiane. Të gatshëm që të ofrojmë përvojën tonë të deritanishme në këtë proces. Uroj që Samiti i sotëm të ofrojë perspektiva të reja për të ardhmen e Ukrainës”- tha Hasani.

Nga ana tjetër, Kuleba falënderoi Shqipërinë për mbështetjen që ka dhënë ndaj Ukrainës, duke theksuar se dy vendet europiane do bashkërendojnë ngushtë sa i takon rrugëtimit në Bashkimin Europian. Sipas ministrit ukrainas, Rusia duhet të dënohet si përgjegjëse për krimet e luftës në Ukrainë.

“Më kujtohet me mirënjohje të posaçme, mandati i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit në këto dy vite dhe mënyra se si keni marrë pjesë në diskutimet për Ukrainën dhe takimi në Këshillin e Sigurimit ku Rama kryesoi mbledhjen në mënyrë elokuente e efikase në 2023. Sot informova ministrin për situatën në front dhe sulmet me dron e raketa të Rusisë çdo ditë duhet të mbahet përgjegjësie për krimet e luftës, do donim të intensifikonim përpjekjet tona në këtë drejtim. Vlerësojmë që Shqipëria është bashkuar në regjistrin kombëtar të dëmeve të shkaktuara nga Rusia në Ukraine. Ukraina dhe Shqipëria janë dy vende evropiane të bashkuara na vlera të përbashkëta europiane. Ramë dakord që të bashkërendojmë ngushtë sa i takon rrugëtimit tonë europian”, tha Kuleba.


AlbaniaWeb.net