“Ari” i tregut ushqimor, çmimi i vajit të ullirit rritet me 50% gjatë janarit në BE
Në janar 2024, çmimi i vajit të ullirit në BE ishte 50% më i lartë se në janar 2023.
Sipas Eurostat, çmimi i vajit të ullirit kapi “majat” në gjysmën e dytë të 2023-it me një rritje prej 37% në gusht (krahasuar me gushtin 2022). Ky trend u përshpejtua në shtator (+44%) dhe tetor (+50%). Kulmi i normës vjetore të ndryshimit ndodhi në nëntor 2023 (+51% krahasuar me nëntorin 2022). Në dhjetor pati një ngadalësim të vogël, pasi çmimet ishin 47% më të larta (krahasuar me dhjetorin 2022).
Në janar 2024, të gjitha vendet e BE-së raportuan një rritje të inflacionit vjetor të vajit të ullirit. Rritja më e lartë u regjistrua në Portugali (+69% krahasuar me janarin 2023), e ndjekur nga Greqia (+67%) dhe Spanja (+63%).
Ndryshimi i klimës, zjarret masive që kanë prekur hektarë të tërë me ullinj dhe një prodhim më i dobët nga vendet kryesore si Italia, Greqia dhe Spanja ka bërë që vaji i ullirit të kthehet në “arin” e ri të tregut ushqimor, ndërsa vendet luftojnë për të marrë sasitë e duhura.
AlbaniaWeb.net