U gjobit me rreth 93 mijë lekë/ Kryebashkiakja e Durrësit padi ndaj KQZ-së, seanca mbahet në 6 mars
Kryebashkiakja e Durrësit, Emirjana Sako, ka dorëzuar një padi ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Gjykatën e Apelit në Tiranë.
Sako ka bërë padi kundër vendimit të datës 19 janar nga KQZ, që e gjobiti atë me rreth 93 mijë lekë, raporton gazetarja Anila Hoxha.
“Vendosjen e sanksionit administrativ gjobë në vlerën 92.775 lekë ndaj znj. Emirjana Sako, kandidate për kryetare bashkie e “Partisë Socialiste të Shqipërisë”, dhe kalimin e fondeve të marra për llogari të KQZ-së, bazuar në pikën 5 të nenit 173 të Kodit Zgjedhor”, ishte vendimi i dhënë nga KQZ një muaj më parë.
Gjykata e Apelit ka hedhur shortin për përcaktimin e përbërjes së Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor dhe, sipas tij, trupi gjykues përbëhet nga gjyqtarët: relatorja Edlira Petri dhe anëtarët Manjola Xhaxho, Esmeralda Xhili, Sokol Ibi e Alma Kolgjoka. Ndërkohë, këtë të mërkurë, u vendos që seanca të mbahet në 6 mars, në orën 08:30.
AlbaniaWeb.net