Wed, Nov 27, 2024

Miçigan, zgjedhjet paraprake me shenja paralajmëruese për kandidatët Trump dhe Biden

  • PublishedFebruary 28, 2024

Joe Biden dhe Donald Trump i fituan me lehtësi dhe rezultat të thellë zgjedhjet e djeshme paraprake brenda partive të tyre në Miçigan. Megjithatë, rezultatet tregojnë se të dy kandidatët kanë arsye për t’u shqetësuar për shanset e tyre në këtë shtet kyç për zgjedhjet e përgjithshme në nëntor.

Presidenti Joe Biden dhe ish presidenti Donald Trump fituan zgjedhjet paraprake në Miçigan, duke konsoliduar më tej mundësitë për një përballje të re mes tyre.

Megjithë fitoren me diferencë të madhe të zotit Trump, mbështetja për rivalen Nikki Haley tregoi sërish se disa nga votuesit republikanë mund të mos mbështesin një mandat tjetër për ish presidentin republikan. Zoti Trump ka fituar tashmë në pesë shtetet e para që mbajnë zgjedhje paraprake për Partinë Republikane dhe dominimi i tij është i paprecedentë që kur zgjedhjet paraprake u mbajtën për herë të parë në Ajova dhe në Nju Hempshër në vitin 1976.

“Këtë nëntor, shteti madhështor i Miçiganit do t’i thotë të korruptuarit Joe Biden ‘je i shkarkuar’, largohu prej këtej. Ik. Presidenti më i keq që kemi patur ndonjëherë”, deklaroi zoti Trump gjatë një tubimi në Miçigan.

Por, shifrat tregojnë se megjithë mbështetjen e gjerë të bazës republikane, ish presidenti Trump ka vështirësi të marrë mbështetjen e votuesve me arsim të lartë dhe rivalja e tij brenda Partisë Republikane, ish ambasadorja në OKB Nikki Haley, tha gjatë një tubimi në Kolorado se zoti Trump nuk do të fitojë në zgjedhjet e përgjithshme në nëntor.

“Hidhini një vështrim faktit që jua thashë se Donald Trump-i nuk mundet të fitojë. Do të kemi një presidente grua të Shteteve të Bashkuara. E vërteta është se do të jem unë, ose Kamala Harris”, tha zonja Haley.

Edhe presidenti Biden ka fituar tashmë përballë kandidatëve të tjerë më pak të njohur në të pesë shtetet që mbajtën zgjedhje të hershme paraprake brenda Partisë Demokrate. Megjithëse Miçigani radhitet ndër të ashtuquajturit ‘shtetet blu’, ky shtet ka një përqindje të madhe arabo-amerikanësh dhe është bërë pika qendrore e zhgënjimit për shkak të mbështetjes së Izraelit nga Shtëpia e Bardhë.

“Zyrtarët e lartë demokratë mendojnë se demokratët do të dalin për të votuar për Biden-in pasi opsioni tjetër është kaq i tmerrshëm dhe frikësues. Por, kjo edhe i irriton votuesit, pasi ndjehen se megjithëse kanë dalë për të votuar çdo vit, perspektiva e tyre nuk është dëgjuar”, thotë Nura Sediqe, nga Universiteti Shtetëror i Miçiganit.

Zemërimi i tyre u shpalos haptazi gjatë ditës së votimit kur një pjesë e votuesve votuan si “të pavendosur” brenda Partisë Demokrate.

“Që dikush si unë të ulet sot këtu dhe të pranojë një presidencë të Trumpit, në kahun e kundërt të spektrit, me qëllim largimin e presidentit Biden, është vërtet dëshmi se sa ka dështuar ky president”, thotë Samraa Luqman, aktiviste demokrate kundër kandidaturës së presidentit Biden.

Shtëpia e Bardhë duket se është e ndërgjegjshme për rëndësinë e kësaj çështjeje.

“E kuptojmë se sa domethënie ka për këtë komunitet. Dhe presidenti e kupton gjithashtu. Kështu që i kushtojmë kësaj shumë vëmendje dhe situatës që po kalon komuniteti”, tha sekretarja për shtypin e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.

Megjithëse Presidenti Biden dominoi në zgjedhjet paraprake në Miçigan, rezultati mund të jetë shqetësues në një shtet ku në vitin 2020 ai fitoi me më pak se 3% diferencë.

* Për këtë artikull u përdorën materiale të agjencive të lajmeve Associated Press dhe Reuters.