“Qytetarët do të vendosin më 14 maj”/ Denoncimi i kandidatit të “Bashkë Fitojmë”, Arjan Hoxha: Në panikun e humbjes, Bashkia e Kamzës s’i kursen shpërblimet për të blerë vota! (DOKUMENTI)
Kandidati i “Bashkë Fitojmë” për Kamzën Arjan Hoxha, ka deklaruar se Bashkia e Kamzës nuk i ka kursyer shpërblimet dhe ndihmat financiare në kohë fushate.
Teksa ka postuar dokumentin në “Facebook”, ai thotë se kjo është një strategji që synon blerjen e votës së qytetarëve që për 4 vite i kanë lënë në harresë.
Gjithashtu thekson se familjet e varfra të Kamzës që nuk e kanë parë mbështetjen e bashkisë në gjithë këto vite nuk do të gënjehen me para, por me 14 maj do të përgjigjen me votë.
STATUSI.
Në panikun e humbjes së afërt, Bashkia e Kamzës ka lëshuar dorën, duke mos i kursyer shpërblimet, subvencionimin e qirave dhe ndihmat financiare. Një strategji që flet qartë për përpjekjen për të blerë votën e qytetarëve të Kamzës, të cilët i ka neglizhuar për 4 vjet.
Frika e humbjes është aq e madhe, sa edhe emrat e rrugëve po përdoren si mjet për të mbledhur vota. Kryetarit aktual, që nuk përfaqëson më shumë se 6% të qytetarëve të Kamzës, i është kujtuar në javën e fundit të mandatit të tij, të emërtojë rrugët.
Familjet e varfra të Kamzës, që nuk e kanë parë mbështetjen e Bashkisë në 4 vjet, nuk do të gënjehen as me para dhe as me emrin e fisit në tabelat e rrugëve.
Përpjekjes qesharake të kryetarit të pavotuar, qytetarët e Kamzës do t’i japin përgjigjen me votë më 14 maj!