Zelenski në Tiranë paralajmëron Ballkanin për kërcënimin rus
Tirana u kthye të mërkurën në qytetin mikpritës të Samitit Ukrainë-Evropë Juglindore, ku për herë të parë e vizitoi Shqipërinë në masa të rrepta sigurie presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski.
Nën ngjyrat e së verdhës dhe blusë me të cilat ishte veshur Pallati i Kongreseve, Zelenski dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama pritën liderët e vendeve të Ballkanit dhe disa nga Europa Juglindore për të diskutuar për atë që po ndodh në Ukrainë në dy vjetorin e nisjes së ofensivës ruse ndaj këtij vendi.
Në fjalimin hapës të samitit, Zelenski foli për përpjekjet e vendit të tij për të fituar ndaj Rusisë pasi sipas tij e kundërta do të thoshte një rrezik për Europën, ndërsa gjatë konferencës për shtyp ai paralajmëroi një rrezik për Ballkanin nëse këto përpjekje do të ndaloheshin.
“Samiti i sotëm ka të bëjë me bashkimin dhe mendoj se shtetet e Ballkanit duhet të jenë së bashku sot,” tha ai duke shtuar se “mendoj se Rusia do bëjë gjithçka që të destabilizojë situatën”.
Presidenti ukrainas tha gjithashtu se nuk duhet të ketë “pauza” në forcimin e Ukrainës për fitore, pasi Rusia do të përdorë këto pauza për të destabilizuar më tej vendet ku dikur ka pasur një prezencë ruse. “Do përdorë taktika të tjera, do përpiqet të ushtrojë ndikim në ato vende ku mundet të përftojë suksese të menjëhershme që janë vende të vogla,” tha ai.
Presidenti i Ukrainës ftoi liderët e Ballkanit që përveç mbështetjes që i kanë dhënë deri tani Ukrainës në këto përpjekje t’i bashkoheshin edhe në prodhimin e armëve dhe municioneve ushtarake.
“Në shikojmë probleme edhe në ofertën përsa i përket municioneve, të cilat ndikojnë situatën në fushën e betejës dhe prandaj jemi të interesuar në bashkëprodhimin e municioneve me ju dhe me partnerët tanë,” tha Zelenski duke folur për një plan konkret që do të prezantohet në një të ardhme të shpejtë. Ai propozoi që kjo të bëhej një një forum të posaçëm për industrinë e mbrojtjes ndërmjet Ukrainës dhe Ballkanit, në Kiev ose në Ballkan.
Edhe Rama foli në të njëjtën linjë me Zelenskin duke e konsideruar mbështetjen për fitoren e Ukrainës si investim për të ardhmen e rajonit dhe Europës.
Në një deklaratë të përbashkët të shpërndarë nga qeveria shqiptare pas punimeve të samitit deklarohet mbështetja e përbashkët e pjesëmarrësve për Ukrainë, ku thuhet se “agresioni i paprovokuar ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës mbetet kërcënimi më i madh ndaj sigurinë evropiane dhe paqen ndërkombëtare”.
Në samit morën pjesë krerët e shteteve të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë, Bosnje-Hercegovinës, Moldavisë, Rumanisë, Bullgarisë dhe Kroacisë.