BE-Ballkani, takim në Tiranë për Planin e rritjes për rajonin
Udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesë të Komisionit europian dhe institucioneve financiare ndërkombëtare, janë mbledhur sot në Tiranë për të diskutuar rreth Planit të rritjes që Komisioni europian ka ofruar për rajonin. Bëhet fjalë për 6 miliardë euro të vëna në dispozicion për të sjellë disa prej përfitimeve të anëtarësimit në BE në rajon përpara anëtarësimit, për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të përshpejtuar konvergjencën shumë të nevojshme socio-ekonomike mes vendeve të rajonit dhe Bashkimit europian. Qëllimi është që në thelb, t’u mundësohet vendeve të Ballkanit Perëndimor, që të përshpejtojnë reformat dhe investimet për të zmadhuar shpejtësinë e procesit të zgjerimit dhe rritjen e ekonomive të tyre.
Siç deklaroi dhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, zbatimi i Planit të rritjes, “ka mundësi që të kontribuojë për të dyfishuar ekonomitë e BP në 10 vitet e ardhshme”. Nga ana e tij kryeministri shqiptar Edi Rama solli një shembull konkret të përfitimeve të rajonit, ndërsa vuri në dukje se “nëse përmbushim të gjitha kriteret për zonën e përbashkët të pagesave, zonës evropiane të përbashkët të pagesave, do të ulim me gjashtë herë tarifat e qytetarëve tanë që ndodhen jashtë për të dërguar para në shtëpi, duke qenë se do të ulë 6 herë koston e të gjitha transaksioneve të biznesit me vendet e BE-së. Vetëm duke bërë këtë, ne në Ballkanin Perëndimor mund të kursejmë afro gjysmë miliard euro në xhepat e njerëzve”.
Zoti Varhelyi, theksoi se “për të ecur përpara, rajoni vetë duhet të ecë me shpejtësi, të ketë rezultate për ato reforma që e bëjnë këtë plan funksional. Dhe ky plan, bëhet funksional nëse zbatoni rregullat e BE-së, në rast se i pranoni të gjitha këto rregulla, dhe të mund të bëheni pjesë e tregut përpara se të bëheni anëtarë”.
Kryeministri Rama kërkoi angazhimin e të gjithë vendeve të rajonit në mënrë që siç u shpreh ai, të mos humbet kjo mundësi. “Me planin e ri të rritjes tashmë në fuqi domosdoshmëria është e qartë, ose do të ndërmarrim hapat e nevojshme për të ecur më pranë BE-së e njëri-tjetrit ose të rrezikojmë të dështojmë për të zënë një vend në tryezën e BE-së e për t’u dhënë ekonomive e qytetarëve tanë një siguri për nevojat e tyre për vitet që vijnë. Ose e bëjmë së bashku ose dështojmë së bashku. BE është tanimë me e gatshme se kurrë të na ndihmojë që të bëhemi pjesë e konstelacionit të saj. Duhet të jemi ne tashmë më të gatshëm se kurrë të ndihmojmë veten për të mos e humbur këtë dritare të re të hapur mundësie”, u shpreh zoti Rama.
Në një rajon ku konfliktet dypalëshe kanë qenë ato që kanë diktuar më së shumti të ardhmen, kryeministri shqiptar drejtoi thirrjen që “t’i lëmë mënjanë këto dallime për një punë bashkëpunuese e jetike që kemi përpara me synim për të transformuar rajonin e vendet tona. Sigurisht çështjet dypalëshe mbeten por duhen zgjidhur përmes bashkëpunimit e dialogut dypalësh dhe jo të ndërhyjnë në këtë ushtrim të ri shumëpalësh”.
Në takimin e sotëm, Kosova nuk ishte e pranishme. Për shkak të angazhimeve të marra më herët, kryeministri Albin Kurti nuk ardhi në Tiranë, por ai iu drejtua samitit me një videomesazh. Po ashtu, kryeministri malazez, Milojko Spajiç, pjesmarrës në takimin e djeshëm “Ukrainë-Europa juglindore”, u largua, ndonëse kishte konfirmuar praninë dhe në takimin e sotëm.