Gazetarja Herridge refuzon të zbulojë burimin konfidencial, gjykatësi e dënon
Të enjten një gjykatës federal shpalli fajtore gazetaren investigative, Catherine Herridge për mospërfillje të gjykatës, pasi ajo refuzoi të zbulonte një burim konfidencial.
Një seri raportesh investigative nga gazetarja veterane, e transmetuar në kanalin televiziv Fox News kur ajo punonte për këtë rrjet, flet për një shkencëtare kinezo-amerikane e cila ishte hetuar nga FBI-ja por ndaj saj nuk ishin ngritur akuza.
Gjykatësi Christopher Cooper e dënoi atë me një gjobë prej 800 dollarësh në ditë derisa gazetarja Herridge të zbulojë burimin e saj. Gjoba nuk do të hyjë në fuqi menjëherë për t’i dhënë kohë asaj që ta apelojë vendimin.
Gjykatësi Cooper shkroi se ai e “njeh rëndësinë supreme të një shtypi të lirë në shoqërinë amerikane” dhe rolin kritik të burimeve konfidenciale në gazetarinë investigative. Por ai tha se gjykata “gjithashtu duhet të luaj rolin e saj në respektimin e ligjit dhe mbrojtjen e autoritetit juridik”.
“Herridge dhe shumë nga kolegët e saj në fushën e gazetarisë mund të mos pajtohen me vendimin dhe të preferojnë arritjen e një ekuilibri tjetër, por ajo nuk lejohet të shkelë urdhrin e një gjykate federale pa u ndëshkuar”, shkruante gjykatësi Cooper, i cili u emërua në detyrë nga ish Presidenti Barack Obama.
Avokati i zonjës Herridge, Patrick Philbin, nuk pranoi të komentonte. Rrjeti Fox News tha përmes një deklarate se, “dënimi i një gazetari për mbrojtjen e një burimi konfidencial ka një efekt thellësisht rrëqethës në fushën e gazetarisë”.
Burimi konfidencial po kërkohet nga zonja Yanping Chen, e cila e ka paditur qeverinë për publikimin e detajeve të një hetimi federal në lidhje me deklaratat e saj në dokumentet e imigracionit për punën e saj në një program të aeronautikës kineze.
Gazetarja Herridge, e pushuar nga kanali CBS News kohët e fundit, transmetoi në rrjetin Fox News në vitin 2017 një seri investigative që ekzaminonte lidhjet e zonjës Chen me ushtrinë kineze. Në serinë investigative ngrihej pikëpyetja nëse shkencëtarja po e përdorte shkollën profesionale që kishte themeluar në Virxhinia për të ndihmuar qeverinë kineze që të siguronte informacione për pjestarët e ushtrisë amerikane.
Në vitin 2018, zonja Chen paditi FBI-në dhe Departamentin e Drejtësisë duke thënë se të dhënat e saj personale ishin publikuar në mënyrë të përzgjedhur për të “njollosur reputacionin dhe dëmtuar mënyrën e jetesës së saj”.